Përplasje Shkup-Sofje për Planin e Veprimit për pakicat, gjuha maqedonase në qendër të debatit

TË FUNDIT

‘Bullgaria shpreh shqetësim për devijimet e Shkupit nga konsensusi evropian i vitit 2022’ – me këtë titull, Ministria bullgare e Punëve të Jashtme reagoi ndaj deklaratës së djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha se Bullgarisë i pengon fakti që Plani i Veprimit për pakicat, i dërguar nga Maqedonia në Sofje, është në gjuhën maqedonase.  Në reagimin e publikuar mbrëmë në faqen zyrtare të MPJ-së bullgare thuhet se çështja se në çfarë gjuhe duhet të jetë Plani për të Drejtat e Komuniteteve që pritet nga Maqedonia e Veriut është një çështje e brendshme e vendit fqinj dhe nuk është temë e marrëdhënieve dypalëshe. Shtojnë se Plani për të drejtat e komuniteteve është një hap që duhet të ndiqet pas përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, gjë që ende mbetet për t’u bërë dhe që do t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut të hapë negociatat për anëtarësim.

MINISTRIA E JASHTME E BULLGARISË:

-Republika e Bullgarisë vëren me shqetësim tezat e fundit të autoriteteve në Shkup, të cilat devijojnë ndjeshëm nga thelbi i Konsensusit Evropian të vitit 2022. Dokumenti do të zbatohet nga institucionet e saj ndaj qytetarëve të vet dhe është logjike që ai të jetë në një gjuhë të kuptueshme për ta. Zgjedhja e Shkupit për t’ua paraqitur draftin e këtij plani qytetarëve të saj në anglisht është e vështirë të shpjegohet, veçanërisht nëse Plani synon të zbatohet vërtet”.

Ndaj kësaj, reagoi Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, nga ku thonë se Draft-plani i veprimit për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të komuniteteve është përgatitur në gjuhën maqedonase dhe angleze nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, në konsultim të ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Komisionin Evropian. Dokumenti përmban masa të qarta, afate dhe institucione përgjegjëse dhe është plotësisht i harmonizuar me standardet më të larta evropiane.

MINSITRIA E PUNËVE TË JASHTME DHE E TREGTISË NË RMV:

Nga ana e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian u theksua se dokumenti përfshin të gjitha standardet relevante evropiane dhe ndërkombëtare. Është shqetësuese fakti se, në vend që të përshëndetet si një hap konstruktiv përpara, dokumenti bëhet subjekt i komenteve abstrakte dhe të pabazuara nga ana e Bullgarisë, të cilat nuk kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe mirëbesimit ndërmjet dy shteteve. Në vend të komenteve të paargumentuara, nga fqinjët tanë presim sjellje evropiane, përfshirë, ndër të tjera, respektin e plotë dhe njohjen e gjuhës maqedonase.

Reagimi i MPJ-së bullgare vjen pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili  të dielën theksoi se Plani i Veprimit ishte përfunduar disa muaj më parë, me përfshirjen e një eksperti evropianë, por se Sofja e kishte refuzuar, sipas tij, Plani ishte në gjuhën maqedonase, gjë që Bullgarisë i pengon, por Mickoski tha se i vjen keq për këtë por gjuhë tjetër nuk ka.