Përplasje për borxhet dhe shpenzimi i parave publike! Bytyqi: A është shqyrtuar me rebalancin skenari i deficitit deri në 6%?!

TË FUNDIT

Huamarrjet, borxhi publik, rebalanci dhe deficiti buxhetor ishin pjesë e debatit të ashpër në pyetjet e sotme parlamentare. Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi pyeti sa Qeveria planifikon ta rrisë borxhin e shtetit dhe nëse me rebalancin e buxhetit do të thellohet deficiti në arkën shtetërore në 6 për qind, siç paralajmëroi edhe Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.

“10,8 miliardë euro borxh publik ekzistues, plus 260 milionë kredi të reja, plus 350 milionë të mundshme në qershor, plus eventualisht 300 milionë euro përmes NPRrSh-së, plus një miliard përmes negociatave me një vend anëtar të NATO-s, plus rreth 700 milionë euro detyrime të papaguara në ekonomi. Dhe kjo është një barrë potenciale publike dhe financiare e papaguar prej rreth 13,4 miliardë eurosh. Dhe pyetja ime është nëse e konfirmoni apo e demantoni këtë përllogaritje”, tha Fatmir Bytyqi.

Zëvendësministri i Financave, Nikolla Jankullovski, u përgjigj se borxhi publik menaxhohet në mënyrë të përgjegjshme, ekonomia rritet me 3,5%, dhe detyrimet e trashëguara nga e kaluara po shlyhen rregullisht.

“Vitin e kaluar realizuam pagesën e euroobligacionit prej 500 milionë euro, këtë vit për pagesë është euroobligacioni prej 700 milionë euro. Dhe gjysma e këtij euroobligacioni tashmë është shlyer, ndërsa gjysma do të shlyhet gjatë qershorit të vitit 2026. Ose më konkretisht, gjithsej 9 miliardë euro borxhe të vjetra në bazë të principalit dhe kamatës së borxhit, që kjo Qeveri ka detyrim t’i shlyejë nga viti 2026 deri në 2031”, tha Nikolla Jankullovski.

Bytyqi nuk ishte i kënaqur me përgjigjen dhe kërkoi përgjigje me shkrim. Reagime të ashpra nga opozita pati edhe për mospraninë e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila u tha se mungon për shkak të një udhëtimi zyrtar.