Përplasje në Kuvendin e Shqipërisë për gjenocidin në Srebrenicë, Balla: Berisha furnizoi me naftë ushtrinë jugosllave

TË FUNDIT

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla tha në seancën plenare të Kuvendit se kur Sali Berisha ishte president, ka lejuar furnizimin me naftë të ushtrisë jugosllave gjatë masakrës në Srebrenicë.

Balla u shpreh se në vitin 1995, u publikua një raport i zv.presidentit amerikan të asaj kohe Algor, ku thuhej se Shqipëria po furnizonte ushtrinë jugosllave me naftë kontrabandë, duke thyer embargon.

“Gjenocidi serb në Srebrenicë nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje Sali. Në 25 prill të vitit 1995, rreth 3 muaj nga dita e ndodhjes së kësaj tragjedie, gazeta New York Times publikon një raport të zv.presidentit amerikan Algor. Në raport thuhet, Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnje. Në bazë të këtij raporti, SHBA-të arrijnë në përfundimin që Shqipëria po thyen embargon. Ne mund të bëjmë një rezulotë për këtë çështje, por kurrë një rezolutë që të vijë me firmën tënde të botës së përtejme”, tha Balla.