Përplasje në Komision për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë: Fronti Europian kërkon “Badenter absolut”

TË FUNDIT

Opozitarja Fronti Europian në mënyrë kategorike kundërshtoi propozimin e kryetarit të Komisionit të Komitetit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Adnan Azizi, që Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të votohet me shumicë të vogël Badenteri. Pati edhe përplasje mes deputetëve. Azizi e vendosi në votim edhe kërkesën e FE-së që ligji të votohet me shumicë prej dy të tretave, megjithatë nuk patën vota të mjaftueshme, pasi për të njëjtën votuan vetëm tre deputetë të opozitës.

“Dy propozime keni, badenter absolut dhe badenter të vogël, të dyja duhet t’i hidhni në votim, nuk mund të selektosh një propozim, dy propozime, nuk mundet, vetë na thatë në fillim”

Votimin për Badenter të madh do e hedh në votim të shoh pastaj çfarë do nxirrni.

Bexheti – Jeni puthador, hajde mos jep mendim, vendose, udhëheqe seancën.

Azizi – Blerim, nuk je ti të më tregosh si udhëhiqet seanca.

Bexheti – Ta merr mendja se më tregon mua.

Azizi – S’e di më ndryshe se ti, po dua të jem korrekt.

Bexheti – Unë di më ndryshe se ty.

Më pas ky propozim i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat mori dritë jeshile nga shumica e të pranishmëve në komision dhe atë 11 deputetë votuan propozimin që ligji të votohet me shumicë të thjeshtë.

Deputetët e opozitës kritikuan ligjin aktual. Riana Ajdari nga BDI kërkoi që ligji të kalojë me badenter absolut, pra me shumicë të plotë, nga ana tjetër ligjin e quajtën eksperiment juridik.

“Në këtë ligj mungojnë elementet që e bënin atë të besueshëm dhe të zbatueshëm në praktikë, nuk ka kuota të përcaktuara, nuk ka mekanizma detyrues që i obligojnë institucionet të përcaktojnë përfaqësimin adekuat, nuk ka procedura konkrete të marrjes dhe korrigjimit të pabarazive, nuk ka sanksione për drejtuesit e institucioneve”, tha Riana Ajdari – deputete FE.

Edhe nga Lidhja Shqiptare kërkuan që ligji të kalojë me badenter absolut, edhe pse sipas Ziadin Selës ky ligj i qeverisë është i papërshtatshëm.

“Sa më tepër ligje të votohen me badenter absolut, më të mbrojtur do të jenë qytetarët që ju i përfaqësoni. Badenteri ose votimi i dyfishtë është mekanizëm mbrojtës, për t’u penguar majorizimi, ndryshe thënë mbivotimi. Prandaj dilni nga istikamet partiake dhe në këtë sallë ju që jeni anëtarë dhe që keni të drejtë vote silleni konform atyre që i përfaqësoni”, theksoi Ziadin Sela, LSh.

Dërgimin në Komisionin e Venecias, Riad Shaqiri e quan humbje kohe pasi sipas tij edhe pas mendimit të këtij komisioni nuk janë marrë parasysh mekanizmat e ndëshkimit.

“Në kohën e sotme në kuadër të Kuvendit të RMV-së vjen një propozim-ligj i cili nuk parasheh as masa ndëshkuese, po as masa sanksionuese ndaj atyre që nuk do ta respektojnë këtë ligj. 6-48 Ky ligj duhet të pësojë ndryshimet e veta dhe ky ligj duhet të kalojë me badenter të madh dhe në asnjë formë nuk duhet të mendohet dhe të lejohet të kalojë në ndonjë formë tjetër”, u shpreh Rijad Shaqiri, deputet i ASH.

Bekim Qoku bëri krahasimin e votimit të ligjit me Ligjin për Gjuhët, se edhe ai është votuar me badenter. Ai kritikoi opozitën se derisa është në pushtet rrinë dhe nuk flasin, ndërsa kur janë në opozitë hapin tema të këtij lloji.

“Një nga ligjet i cili votohet me badenter të vogël është Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe ai ligj nuk është kontestuar, nuk është bërë zhurmë pse është votuar me badenter të vogël, një ligj i një rëndësie tejet të veçantë, tejet të rëndësishme për komunitetet jo shumicë që flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja”, tha Bekim Qoku, deputet i VLEN.

Sipas propozuesve, qëllimi kryesor i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat është krijimi i një kornize të qartë, të saktë dhe të zbatueshme ligjore për realizimin e një prej parimeve themelore të rendit kushtetues – përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të qytetarëve nga të gjitha bashkësitë në organet shtetërore dhe institucionet publike. Projektligji aktualisht ndodhet në lexim të parë dhe procedohet me procedurë të rregullt parlamentare. Sipas paralajmërimeve, para miratimit përfundimtar do të organizohet edhe debat publik.