Përplasje në ASH-në e Fetait për shkrirjen në VLEN! Edhe Alternativa problem, Sejdiu kërkon tejkalimin e “tekeve”

TË FUNDIT

VLEN tashmë është shumë pranë finalizimit të shkrirjes në një parti politike. Megjithatë pakënaqësitë nuk mungojnë për marrëveshjen që Mexhiti dhe Kasami të jenë bashkëkryetarë. Arben Fetai nga fraksioni i ASH-së insiston në opsionin e lidershipit me rotacion një vjeçar, por jo të gjithë anëtarët e këtij fraksioni pajtohen me qëndrimet e tij. Kjo u pa mbrëmë në një darkë ku ishin të gjithë përveç Fetait, ndërsa Azir Aliu nuk e mohoi se ka përplasje.

“Sa i përket përplasjeve, përplasje kemi edhe në shtëpi edhe në mëhallë edhe në punë ku punojmë kështu që ato janë procese shumë të shëndosha, procese demokratike që ne mund t’i kemi në cdo organizim politik”, tha Azir Aliu – ASH/VLEN .

Pyetëm Fetain nëse ministri Azir Aliu dhe deputetja Mimoza Musa janë distancuar nga ai, Fetai tha që të drejtohemi te ata. As Aliu dhe Musa nuk u përgjigjen ne pyetjet e TV21.

Por, nuk është vetëm Arben Fetai, jozyrtarisht mësohet se edhe Alternativa tani për tani nuk pajtohet me idenë udhëheqjes së partisë me dy kryetarë.  Megjithatë Izet Mexhiti thotë se pjesa dërmuese e faktorëve brenda VLEN-it janë PRO konceptit me bashkëkryetarë.

 “Ne po bëjmë biseda me argumente pro dhe kontra. Pjesa dermuese e faktorëve brenda VLEN-it janë për konceptin bashkëkryetar, por normal që këtu bashkë është edhe Alternativa”, theksoi Izet Mexhiti – LD/VLEN.  

Blerim Sejdiu nga BESA tha se në Alternativë duhet t’i tejkalojnë teket ditore politike.

“Unë them se ata do e gjejnë rrugën dhe arsyen e shëndoshë që të tejkalojnë veten dhe të tejkalojnë ato teket ditore politike”, tha Blerim Sejdiu nga Lëvizja Besa.    

Ndryshe në darkën e mbrëmshme e organizuar nga dega ASH Vrapçisht, i pranishëm ishte edhe deputeti Ilir Demiri, i cili tashmë i bashkëngjitet VLEN-it.  Ndërkohë Arben Fetai për sonte në mbrëmje ka paralajmëruar takim të jashtëzakonshëm me strukturat e partisë, ku pritet të merret vendim final në lidhje me shkrirjen në VLEN.