Pas deklaratave të zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali në emisionin e mbrëmshëm në Click Plus reagoi Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov. Filkov mbetet në qëndrimin se provimi i jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën maqedone, sepse ky provim sipas tij, shërben për të verifikuar njohjen e gjuhës maqedonase. Ministri Fillkov thotë se nuk mban qëndrimi i Salit që Ministria e Drejtësisë nuk ka argumente për mos-pranimin e peticionit të studentëve shqiptarë të juridikut, duke shtuar se funksionarët duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën, dhe se sipas tij, “çdo gjë tjetër është presion dhe nuk do të kalojë”.
“Prandaj, teza se Ministria e Drejtësisë “nuk ka argumente” është e pasaktë dhe e motivuar politikisht. Argumentet janë të qarta, kushtetuese dhe ligjore. Ajo që mungon në deklaratat e zëvendëskryeministrit është respekti për sistemin juridik në tërësi. Në fund, më lejoni t’i drejtoj një mesazh z. Sali. I nderuar koleg, Kushtetuta nuk është temë për emisione televizive, as nuk është mjet për narrativa politike, dhe drejtësia nuk mund të jetë peng i asnjë agjende. Qeveria ka si qëllim të vendosë rend pas viteve të shpërbërjes institucionale, të zbatojë reforma, jo të prodhojë konflikte”, tha Igor Fillkov.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në emisionin e mbrëmshëm në Click Plus, theksoi se të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk kanë nevojë të përsëriten në çdo ligj apo rregullore, pasi ato duhet të zbatohen automatikisht nga institucionet. Sali, bëri të ditur se ka komunikuar me ministrin e Drejtësisë, por se nga ana e tij nuk ka pasur mirëkuptim. Ai theksoi se kërkesa e studentëve ka bazë kushtetuese dhe se refuzimi nuk lidhet me mungesë argumentesh ligjore, por me mungesë vullneti.
“Ne themi se duhet të respektohet Kushtetuta dhe nuk duhet të futemi në çdo ligj, apo në rregullore të institucioneve të ndryshme, ta shkruajmë gjithandej se duhet kjo kjo, për arsye se nëse në Kushtetutë është e shkruar diçka, gjithçka inkorporohet në praktikën e mëtutjeshme të institucioneve dhe do t’i qëndrojmë kësaj mbrapa, përkrahjen do ta kenë studentët maksimalisht. Unë kam pasur një komunikim me ministrin; për fat të keq nuk ka pasur mirëkuptim. Kam kërkuar që të respektohet kjo kërkesë, për arsye se ka bazë kushtetuese. Cila ishte përgjigja? Mes fjalëve e vërejta se nuk ka vullnet; nuk ka të bëjë me argumentime këtu. Pres Ministrinë të reflektojë; nëse nuk reflekton, do ta trajtojmë edhe ashtu. Do të organizojmë një takim për ta bindur që si ministër i Drejtësisë fillimisht duhet të respektojë Kushtetutën, dhe pastaj do të kërkojmë nga qytetarët ta respektojnë atë”, deklaroi Bekim Sali.
Ndërkaq, neni 2 paragrafi (3) i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se ‘Në institucionet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë nga neni 1 paragrafi (3) i këtij ligji, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë dhe në institucionet e tjera në vend.
