Përplasje BDI-VLEN  në Kuvend! Ajdari pyet Salin për provimin e jurisprudencës

TË FUNDIT

Protesta e studentëve për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte një nga temat e pyetjeve parlamentare të opozitës. Rina Ajdari nga Fronti Evropian e pyeti zëvendëskryeministrin e parë Bekim Sali se si e sheh vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për të mos pranuar dhënien e provimit në gjuhën shqipe.

“Zëvendëskryeministër, e keni ngatërruar çështjen me ligjin për provimin e jurisprudencës, ku duhej të zgjidhej ky problem për dhënien e provimit në gjuhën shqipe. Në praktikë, Ministria e Drejtësisë sot doli me të njëjtin qëndrim, duke refuzuar kërkesën dhe duke e reduktuar atë në një test gjuhe. Si i menaxhoni vendimet që legjitimojnë mospranimin e gjuhës shqipe për studentët shqiptarë?”, tha Rina Ajdari – Fronti Evropian.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se Qeveria i ka dëgjuar kërkesat e studentëve dhe se shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet, duke akuzuar BDI-në se për 22 vite nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.

“Për herë të parë pushteti qendror e ka dëgjuar zërin e studentëve dhe do ta zgjidhë problemin e tyre njëherë e përgjithmonë. Provimi do të jepet në gjuhën shqipe dhe këtë do ta tregojmë shumë shpejt para jush dhe publikut. Protesta e studentëve është një revoltë normale dhe e drejtë e tyre. Ata nuk protestojnë kundër VLEN-it, por kundër Frontit Evropian dhe BDI-së, e cila për 22 vite nuk arriti të harmonizojë ligjin për gjuhët për këtë çështje”, u shpreh Bekim Sali – Zëvendëskryeministër.

Ajdari e pyeti gjithashtu Salin edhe për integrimet evropiane dhe detyrimin për ndryshimet kushtetuese, për të cilat, sipas saj, Fronti Evropian po mbledh nënshkrime, si dhe pse VLEN është deklaruar kundër tyre. A po dilni kështu kundër agjendës evropiane apo bëhet fjalë për paaftësi për të vepruar jashtë diktatit të partnerit tuaj të koalicionit, pyeti Ajdari. Zëvendëskryeministri Sali tha se ai është plotësisht i përkushtuar ndaj procesit të integrimeve evropiane dhe se kjo dëshmohet përmes zbatimit të agjendës reformuese.