Një kamion i ngarkuar dhe një makinë u bënë shkrumb e hi pasi u përplasën mbrëmë në periferi të Shkupit.
Ekipe të zjarrfikësve dhe të policisë dolën në autostradën e Shkupit që vjen nga Kumanova, për të evituar tragjedi tjera në trafik.
Autoambulanca mori dy shoferët, ku ai i veturës BMW ka marr lëndime të rënda trupore, por sipas autoriteteve është jashtë rrezikut për jetë.
Nga policia thanë se kanë kryer edhe ekspertizën e aksidentit.
“Mbrëmë në ora 23:00 ka ndodhur një aksident trafiku midis një automjeti pasagjerësh “BMW” me targa të Shkupit, i drejtuar nga A.V. (25) nga fshati Bujkovci, Shkup, dhe një automjeti mallrash “Mercedes” me gjysmë rimorkio me targa të Negotinës, i drejtuar nga L.D. (56) nga fshati Brest, Shtip. Ku të dy automjetet janë përfshirë nga flakët dhe janë djegur plotësisht. Shoferi i automjetit “BMW” ka pësuar lëndime të rënda në aksident, të cilat janë diagnostikuar në Qendrën Klinike Universitare ‘Nëna Terezë’ në Shkup. Një ekip inspektimi nga SPB Shkup ka kryer inspektimin në terren”, tha Goce Andreev.
Por, edhe 15 orë pas aksidentit, qarkullimi rrugor është i reduktuar. Ekipe të pastrimit po heqin gërmadhat. Në terren kanë dal edhe ekipe të doganës për të verifikuar nëse i gjithë malli në maune ishte legal. Kjo pasi që sasi të mëdha të vajit motorik, kishte edhe ambalazhe të shumta të alkoolit dhe kuti cigaresh.
“Sipas ekspertizës, makina ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, e cila nuk ka arritur që të frenojë në momentin e goditjes së kamionit nga pjesa e pasme e maunës, e cila ishte duke u rreshtuar në krahun e djathtë të autostradës nga Kumanova për në Shkup, pikërisht tek lidhja e Hipodromit që të shpie në rrugën e qarkores dhe si rrjedhojë rruga mbetet gjysmë e bllokuar deri në mbrëmje, deri sa të bëhet pastrimi i të gjitha këtyre materialeve, të cilat kanë qenë lehtësisht të djegshme si vajra motorike dhe alkooli, që shkaktoi flakë në momentin e goditjes së makinës që ishte e pajisur me plin” – Adnan Qaili, gazetar.
Autoritetet thonë se ndotja e vajit të djegur në asfalt i duhet kohë për t’u pastruar. Madje do të trajtohet nga kompani të specializuara. Ndërsa gërmadhat e kamionit dhe veturës do të dërgohen në hekurishte. Ky punonjës tha se vetura me gaz ishte shkaku i shkëndijës së parë të zjarrit gjatë aksidentit, që goditi maunën me dhjetëra fuqi të lëndëve lehtësisht djegëse.
-Kemi pajisjen për tërheqjen e automjeteve dhe pajisje për heqjen e vajrave motorike dhe për 5-6 orë kjo do të pastrohet. Ne deponinë Drislla!
-A duhet të trajtohen posaçërisht vajrat motorik?
-Për vajrat ka firmë që kanë leje për menaxhimin dhe magazinimin e këtyre vajrave motorike e kështu me radhë.
Që në mëngjes janë vërejtur kolona të gjata të pritjes në autostradë, ngaqë po funksionon vetëm, njëra korsi e autostradës nga Kumanova për në Shkup dhe qarkullimit të rregullt do të rikthehet në mbrëmje.
