Dy gra humbën jetën dhe një fëmijë mbeti i plagosur rëndë në një aksident rrugor në aksin Korçë-Kapshticë.
Mësohet se viktimat dhe i plagosuri kanë qenë këmbësorë kur janë përplasur nga një automjet që drejtohej nga shtetasi O.B, agjent doganor.
Fëmija i plagosur është transportuar në spital për mjekim dhe ndodhet në Reanimacion.
“Në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, pranë fshatit Kapshticë, mjeti tip “ML” me drejtues shtetasin O.B, 47 vjeç, ka aksidentuar tre kalimtarë në rrugë, konkretisht shtetasen A.G, 32 vjeçe, shtetasen V.Ç, 34 vjeçe, banuese në Kapshticë si edhe një fëmijë ende i paidentifikuar, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen dy shtetaset dhe është transportuar fëmija në gjendje të rëndë shëndetësore drejt Spitalit të Korçës” njoftoi Policia e Shqipërisë.
Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, O.B, pak pas aksidentit në komisariatin e Devollit. Pas kryerjes të testit të alkoolit rezultoi se drejtonte veturën në gjendje të dehur në masën 0.82 mg/l.
Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./oranews
