Përpjekje e re e partive më të vogla politike për ndryshimin e kodit zgjedhor sipas modelit me një njësi zgjedhore me lista të hapura. Kryetarja e PLD-së Monika Zajkova për TV21 tha se sot e kanë dorëzuar propozimin për ndryshim të kodit zgjedhor në Kuvend. Megjithatë se si do të arrihet konsensusi për këto ndryshime, Zajkova thotë se nëse hapet debati, janë të gatshëm të pranojnë edhe sugjerime të caktuara që do të ishin në suazë të konceptit për një njësi zgjedhore.
“Në zgjidhjen ligjore propozojmë një njësi zgjedhore, zgjidhja ligjore u lëshua pa prag zgjedhor, megjithatë jemi të hapur për të biseduar për atë pjesë kur do të hapet debati, parasheh lista të hapura për zgjedhjet lokale sepse mendojmë por edhe e gjithë kjo që na ndodhi në shoqëri tregoi se na duhet zgjedhje e drejtpërdrejt nga qytetarët”, tha Monika Zajkova, Kryetare e PLD.
Kryeministri Mickoski që të enjten në seancën për pyetjet e deputetëve thirri për ndryshime të kodit zgjedhor me një njësi zgjedhore me çka do të mundësohet votim nga diaspora.
“Nuk jemi ulur për të biseduar me askënd mbi këtë temë, por parimisht ne si VMRO-DPMNE, do të përsëris, deputetët e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE, do të përkrahim një njësi zgjedhore ku do të ka të drejtë për të votuar edhe diaspora”, pohoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga BDI pajtohen për një njësi zgjedhore por me prag prej 5%. Nga kjo parti pyesin se pse ende nuk është formuar grupi punues ku do të debatohet mbi ndryshimet e ligjit të cilat duhet të sillen 6 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
“Ne jemi për një njësi zgjedhore, por me prag, prag minimal, kjo do të thotë 5% nga dalshmëria, përkatësisht 3% nga numri i përgjithshëm i votuesve dhe me lista të hapura”, shtoi Arbër Ademi, BDI.
Nga LSDM thonë se janë për lista të hapura. Kryetari i partisë Venko Filipçe këto ditë tha se partia e tij është e gatshme për të biseduar për këtë iniciativë por shtoi se ndryshimet e këtilla duhet të jenë pjesë e një debati të gjerë ku do të marrin pjesë të gjitha partitë politike. Përveç çështjes për një njësi zgjedhore, këtu janë edhe çështjet për census dhe listat e hapura, tha Filipçe.
