Përkujtohet dëshmori i kombit Cen Dugolli

TË FUNDIT

Në 17 vjetorin e rënies është përkujtuar me pietet dëshmori i UÇK-së, Cen Dugolli.

Dugolli, ishte njëri ndër veprimtarët e parë të rezistencës i cili u vra më 17 gusht të vitit 1998 nga forcat serbe në burg.

Ai vdiq nga torturat e shumta që i bënë policët serb por asnjëherë nuk u dorëzua e nuk tregoi për veprimet çlirimtare që po përgatisnin shokët në ilegalitet. Sot në përvjetorin e tij të 17 të vrasjes familjarë , miq e bashkëluftëtarë e përkujtuan me disa homazhe në varrezat e dëshmorëve.

Bashkëshortja dhe fëmijët për disa vite me radhë jetojnë në Francë.

Dëshmorin Cen Dugolli me fjalët më të mira e përkujton gjithmonë edhe dega e shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Ferizaj, por pjesëmarrja e pak njerëzve në homazhe është shqetësuese për ta. Sipas kryesisë së shoqatës për një pjesë të qytetarëve dëshmorët po bëhen kapitull i harruar i historisë.

Edhe për zyrtarët e lartë komunalë të Ferizajt realiteti i ikjes së familjeve të dëshmorëve për një jetë më të mirë është brengosës. Xhavit Zariqi nënkryetar i komunës e quan fatkeqësi kur një familje dëshmori detyrohet të jetojë në Francë sepse i mungon shumëçka në Kosovë.

Përvjetori i sivjetmë i rënies së dëshmorit Cen Dugolli ishte edhe më i rëndë për familjen e gjerë sepse u bë edhe pa nënën e tij Mihrijen e cila ndërroi jetë vitin e kaluar. Mbahet mend përkushtimi dhe premtimi që ia kishte dhënë kjo nënë djalit të saj për moslargimin asnjëherë nga varri i të birit dëshmor.