Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka përfunduar mbikëqyrjet e jashtëzakonshme në institucionet ku është trajtuar pacientja S.M. nga Strumica, përfshirë Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën Universitare të Neurologjisë, përcjell TV21. Gjatë kontrolleve janë shqyrtuar dokumentacioni mjekësor dhe janë marrë deklarata nga punonjësit shëndetësorë të përfshirë në trajtim.
Për shkak të komplikimeve serioze shëndetësore të pacientes, është vendosur të kryhet edhe mbikëqyrje profesionale nga një komision me specialistë të neurologjisë, anesteziologjisë, gjinekologjisë, radiologjisë dhe neurokirurgjisë, ku do të përfshihet edhe një ekspert mjekësor nga një shtet fqinj. Ministria njoftoi se pas përfundimit të kësaj procedure do ta informojë publikun për konstatimet dhe përfundimet. Përndryshe, pacientja S.M. mbeti e palëvizshme pas lindjes cezariane.
