Përfaqësuesja e Futbollit të Maqedonisë në arenën kombëtare “Todor Proeski” nesër do ta takohet me Poloninë. Nëse fiton, përfaqësuesja mund të ngjitet në pozitën e parë në grup dhe t’i afrohet plasmanit në Kampionatin Evropian. Euforia e cila vërehet në planin sportiv ditëve të fundit për Vardarin, i cili u bë kampion evropian, është e pranishme edhe në mes të futbollistëve, të cilët duan që dashamirësve të sportit t’u japin një arsye shtesë gëzimi.
“Vardari arriti sukses të cilin vështirë se ndonjë ekip sportiv në Maqedoni do ta arrijë. Për ne kjo është motivi kryesor. Pamë se sa njerëz i mirëpritën, pamë se Maqedonia jeton për sportin. Dëshira jonë është të kualifikohemi në Kampionatin Evropian dhe edhe ne në shesh të na presin po aq njerëz”, u shpreh Goran Pandev, kapiten i përfaqësueses.
Seleksionuesi Igor Angellovski, pret që futbollistët ta vazhdojnë serinë e mirë rezultatesh.
“Sikur në ndeshjet paraprake, ashtu edhe në ndeshjen e nesërme do të dalim për të luftuar për rezultat pozitiv. Unë mund t’ju siguroj se futbollistët e mi do ta japin edhe atomin e fundit të forcave të tyre në terren, duke luftuar për çdo cep të terrenit, për të arritur rezultat pozitiv kundër kundërshtarit cilësor”, theksoi Igor Angellovski, seleksionues i përfaqësueses.
Ndeshja do të luhet nesër në orën 20:45. Bilanci i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut në grup është fitore ndaj Letonisë dhe barazim kundër Sllovenisë. Polonia e startoi ciklin me dy fitore ndaj Austrisë dhe Letonisë.
Përgatiti: Goran Boshev
