Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, nuk ka informacion nëse ekziston vendim nga Këshilli Ekonomiko-Social, me rekomandim për uljen e pragut nga 10 në 5% për anëtarësimin e sindikatave në këtë këshill. Edhe pse ministri sot e mbrojti propozimin për ndryshime në Ligjin për Marrëdhënie Pune, i parashtruar nga deputetët e shumicës, duke thënë se ky prag duhet të ulet, ai deklaroi se nuk ka pasur një konkluzion të tillë në ndonjë nga seancat e Këshillit.
Por dje, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, ndër argumentet pse ai dhe një pjesë e kolegëve të tij deputetë nga koalicioni qeveritar kanë parashtruar kërkesë të tillë për uljen e pragut, përmendi se ka pasur edhe konkluzion nga Këshilli Ekonomiko-Social.
Pas këtyre pohimeve, mbetet e hapur pyetja nëse ministri Durmishi nuk është i informuar për gjithçka që vendoset në Këshillin Ekonomiko-Social apo deputeti Stojanovski ka informacione të pasakta ose të paplota nga mbledhjet e Këshillit.
Megjithatë, si ministri ashtu edhe deputeti përmendën të njëjtat argumente pse duhet të ulet pragu – dhe ai është demokratizimi i funksionimit të KES-it dhe mundësia që më shumë sindikata, e jo vetëm Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, të mund të marrin pjesë në punën e Këshillit. Ata gjithashtu theksuan se me ndryshimet e ligjit, një pjesë e madhe e punëtorëve që janë anëtarë të sindikatave të tjera do të jenë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe zëri i tyre do të dëgjohet.
Ndërkaq, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë konsideron se kjo paraqet goditje ndaj tyre dhe favorizim për një sindikatë tjetër, e cila nuk do t’i kundërshtojë propozimet e Qeverisë dhe të punëdhënësve.