Subvencionime për kompanitë private të cilat do të ndihmojnë në përfaqësimin e drejtë etnik në punësime, paralajmëroi mbrëmë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, e kjo sepse siç shtoi, sektori privat çalon jashtëzakonisht në këtë aspekt.
“Flasim jo vetëm për shqiptarë por edhe për komunitete të tjera. Nëse e keni lexuar ekspozenë dhe programin qeveritar theksohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në sektorin privat. Ne e planifikonim me subvencione, që t’i subvencionojmë për shembull duke paguar tatimin për këto punësime në këto kompani private për 3 vitet e para në mënyrë që ta rrisim përfaqësimin e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”,- deklaroi Artan Grubi zv/kryeministër i parë.
Përveç subvencionimeve, si opsione të tjera arritjen e kësaj, Grubi përmendi favorzimin e kompanive në prokurime publike, ose përpilimin e një ligji, edhe pse ndoshta, siç shtoi, “nuk bën që të ketë ndërhyrje në tregun e lirë!”. E këto pohime të zëvendëskryeministrit të parë, kanë revoltuar deputetin e RDM-së (DOM), Mirosllav Bogdanovski, poashtu partner në qeverinë “Zaev 2”.
-Diskriminim klasik, me para shtetërore të subvencionohen kompani private që të mos punësohen maqedonas me të vërtetë është e papranueshme e palejueshme!!!
Nga Bogdanovski kërkuam qëndrim më të hollësishëm se pse mendon kështu, por nuk pranoi të flasë para kamerës.
Qëndrim kërkuam edhe nga zëvendëskryeministri tjetër i qeverisë, Ljupço Nikollovski, nga radhët e LSDM-së, por nuk iu përgjigj mesazheve.
Për opozitaren VMRO-DPMNE ajo që paralajmëroi Grubi është e papranueshme.
“Subvencionimi i kompanive private për punësim sipas çelësit etnik absolutisht është i papranueshëm. Kompanitë nuk duhet të ndahen sipas asaj se kë e punësojnë. Në vend të politikës së aparteidit, le të fillojnë të bëjnë politika evropiane. Le t’i heqin kokat nga paratë dhe tenderat, të shohin të paktën të punojnë diçka për qytetarët e Maqedonisë”,- Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Grubi në sqarimet e sotme shtesë, pas debatit të mbrëmshëm në TV21, pohoi se pikërisht çelësi etnik është i rëndësishëm.
“Çelësi etnik është shumë i rëndësishëm sepse ashtu parasheh edhe Marrëveshja e Ohrit, parimet kushtetuese për përfaqësim të drejtë të të gjitha përkatësive në vend dhe kjo nuk do të thotë se do të ketë cilësi më të pakët sa u përket njerëzve që do të punësohen, gjithsesi duhet ti përmbushë të gjitha kriteret që ti kryejë detyrat e punës”,- pohoi Artan Grubi zv/kryeministër i parë.
E në programin e Qeverisë 2020-2024 nuk përmendet konkretisht subvencionimi i kompanive private për qëllim të përfaqësimit të drejtë etnik, por në pjesën e “Shoqëri e barabartë për të gjithë” shkruhet se “Qeveria do t’i thrrasë, inkurajojë dhe do të bashkëpunojë me sektorin e biznesit, siç janë kompanitë e vendit dhe të huaja, që t’i mbështesin marrëdhëniet e mira etnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimin dhe besimin e ndërsjellë edhe në mjediset e tyre të punës, që të përdoret i gjithë potenciali njerëzor me të cilin disponon vendi ynë”.
