Qytetarët e Tiranës protestuan për rreth një orë e gjysmë, pas përdhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë persona.
Protesta sensibilizuese nisi fillimisht në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa të pranishëm janë edhe personazhe të njohur si Fifi, Afërdita Dreshaj, Beatrix Ramosaj, Monika Lubonja apo Evi Reçi.
Më pas ata kanë marshuar drejt Kryeministrisë dhe mbyllën protestën në sheshin ”Skënderbej”.
Me thirrjet “Unë bërtita joooo” dhe me banderolën me po të njëjtat fjalë, ata protestuan në mënyrë paqësore, duke mos shkaktuar incidente.
Disa prej personave të njohur dhe të rinjve shprehën opinionet e tyre në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Protestuesit kërkuan që abuzuesit të dënohen maksimalisht dhe të ketë reagim nga organet kompetente. Ata gjithashtu kërkuan që të jetojnë të sigurt në vendin e tyre, pa u ndjerë të rrezikuar bashkë me fëmijët e tyre.
