Sivjet, jo vetëm vera do të jetë e nxehtë! Në zgjedhjet lokale të 19 tetorit, pritet një përballje e fortë në bllokun politik shqiptar për kryesimin e ardhshëm të Çairit. Në këtë komunë me shumicë shqiptare, Fronti Evropian ka zyrtarizuar kandidaturën e Bujar Osmanit, nënkryetar i BDI-së, ndërsa nga radhët e koalicionit VLEN pritet të kandidojë Izet Mexhiti, aktualisht Zëvendëskryeministër i parë.
Një ditë më parë Kryesia qendrore e BDI-së shpalli disa nga kandidatura për zgjedhjet lokale, ku për Tetovën do të garoj Bajram Rexhepi, nënkryetari tjetër i BDI-së. Përballë tij, nga VLEN pritet që të rikandidojë Bilall Kasami, kryetari aktual i kësaj komune.
Fronti Evropian për Komunën e Gostivarit i ka lënë radhën partnerëve të tyre të ASH-së së Taravarit, ku me shumë gjasë do të kandidojë ushtruesi aktual i detyrës Valbon Limani. Nga VLEN ende nuk kanë dalë me kandidatë për këtë komunë, por ka gjasa ta mbështesin kandidatin e pavarur Visar Ademin. Poashtu, ASH-ja e Taravarit nën ombrellën e FE-së do të kandidojë edhe për komunat e Vrapçishtit, Tearcës dhe Sarajit. Për këtë të fundit kandidatë nga FE pritet të jetë Blerand Ramadani, ndërsa kandidati nga VLEN pritet ta jetë Orhan Murtezani, Ministër aktual për Çështje Evropiane.
Ndërkaq, ASH-ja e Selës në kuadër të FE-së do të ketë kandidatë në Haraçinë, Dibër dhe Strugë. Jozyrtarisht vetë Zijadin Sela pritet të kandidojë për komunën e Strugës. Ndërkaq, nga VLEN tani më janë deklaruar se për Strugën do ta mbështesin kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, kryetar aktual i OEMVP.
Në Komunën e Zhelinës, kandidat nga FE do të jetë Emir Sulejmani, ndërsa nga radhët e VLEN-it, pothuajse zyrtare është rikandidimi i kreut aktual të kësaj komune, Blerim Sejdiu.
Ditëve në vijim pritet të zyrtarizohen edhe emrat e kandidatëve tjerë.
