Gjatë javës së kaluar, gjithsej 246 automjete janë larguar me automjete speciale “karrotrec” nga vendet publike në qytetin e Shkupit. Nga numri i përgjithshëm i automjeteve të parkuara në mënyrë jo të drejtë, 36 janë larguar nga vendet e parkimit të zonës, ndërsa 210 automjetet e tjera u urdhëruan nga policia e komunikacionit në bazë të shkeljeve të kryera: parkimi në rrugë, shtegu i biçikletave, kalimi i këmbësorëve, trotuari, zona e gjelbër, përballë shenjave të komunikacionit, si dhe me thirrjen e një pale të tretë.
Siç është kumtuar nga Qyteti i Shkupit, kontrolluesit e parkingjeve të zonës në të njëjtën periudhë sanksionuan gjithsej 367 automjete, për shkak të parkimit jo të drejtë, pra për shërbimin e parkimit të papaguar. Nga këto, 36 automjete janë larguar nga shërbimi i “karrotrecit”, për shkak të tejkalimit të kohës së lejuar të ndalimit në parking.
“Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja Publike ‘Parkingu i Qytetit’ u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbajnë gjelbërimin dhe vendet e tjera publike dhe t’i parkojnë automjetet e tyre ekskluzivisht në vendet e shënuara për parkim. Ne u bëjmë apel të gjithë përdoruesve të shërbimeve të parkimit që të rregullojnë pagesën për shërbimin e parkimit në kohë, në mënyrë që ata të mos sanksionohen dhe të mos u vendoset bllokimi i rrotave. Pagesa për shërbimin e parkimit mund të bëhet me SMS ose me karton gërvishtës”, thuhet në kumtesën e sotme nga Qyteti i Shkupit.
