Ministri i Administratës Goran Minçev thotë se nuk zmbrapset nga vendimi për uljen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në administratë nga 29,52%, në 24,30%. Minçev thotë se me këtë vetëm po e respekton ligjin dhe se çdo koment nga partneri i koalicionit VLEN është i pabazë.
“Në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik, qartë qëndron se Balancuesi është posaçërisht për banorët, qytetarët që janë në territorin e Republikës së Maqedonisë, kjo është popullata rezidente. Unë si ministër heq dorë nga respektimi i ligjit në atë formë që tani janë shkruar, kështu që në këtë kontekst, ne si ministra duhet t’i respektojmë ligjet dhe çfarëdo komenti nga kolegët e VLEN-it është i pabazë, shpresoj që edhe qëllimi i tyre është që të respektohen ligjet”, tha Minçev.
Nga koalicioni VLEN, zëdhënësi Fari Hiseni, duke përmendur edhe deklaratën e ministrit Andonov, tha se Balancuesi do të mbetet në fuqi deri sa të sillet Ligji për përfaqësim të barabartë. U bëri thirrje partnerëve nga ZNAM të mos abuzojnë me këtë situatë për të fituar pikë politike, sepse siç shpreh, nuk janë ndonjë faktor i madh në Qeveri.
“Prap do ta shfrytëzoj rastin t’u them edhe Dimitrievskit edhe Minçevit që të dalin prej fushatës, nuk jemi në fushatë, le të veprojnë si qeveritarë, të veprojnë si ekzekutiv dhe të mos e shfrytëzojnë rastin për ndasi dhe poena politikë për arsye se fundi fundit nuk janë edhe ndonjë faktor në këtë qeveri”, tha Hiseni.
Ditëve të fundit, dy partnerët qeverisës, Koalicioni VLEN dhe Lëvizja ZNAM, janë duke u zënë në distancë me deklarata për çështjen e përqindjeve në administratën publike. Krejt kjo pas vendimit të ministrit të Administratës Minçev për ndryshim të përqindjes së Balancuesit, me çka ulet përfaqësimi i shqiptarëve. Përndryshe, kjo Qeveri, përfshirë edhe koalicionin shqiptar VLEN, ka premtuar heqjen e mekanizmit të quajtur Balancues për punësimet në sektorin publik dhe sjelljen e një ligji të ri për përfaqësim të barabartë.
