Në vendin tonë kemi mbi 5 mijë persona që janë në izolim nga Kovid-19. Ata dhe personat e tjerë që janë pozitiv, për ta realizuar të drejtën e votës nga shtëpia, duhet të paraqiten më së voni deri më 8 korrik në njësitë zgjedhore komunale.
Edhe pse 2 ditë na ndajnë nga 8 korriku,tash për tash është paraqitur vetëm një person për ta realizuar të drejtën e votës nga izolimi.
“Më duket se ka vetëm një të paraqitur”, tha Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Të drejtën e votës këto persona do ta realizojnë në shtëpi. Për këtë janë formuar këshilla të veçantë në përbërje të një mjeku, dy motra medicinale dhe një anëtar partiak.
“Kemi kompletuar këshillat zgjedhor edhe këshillat e veçantë zgjedhor të cilët përbëhen prej tre vetëve të personelit mjekësor dhe katër nominime të partive politike të cilat janë në këtë përbërje. Për momentin akumulojmë materialin për mbrojtjen e shëndetit të cilin do ta përdorin këto këshilla dhe jemi në përgatitje të planit për mbajtjen e trajnimeve të këtyre personave”, theksoi zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani.
Të gjithë janë të detyruar të mbajnë pajisje mbrojtëse kundër Kovid-19 të cilat ndërrohen pas çdo votimi.
“Ky këshill zgjedhor kur mbërin në adresën, në objektin e personit që ka kërkuar të votojë është i detyruar të mbajë mantil të najllonit, vizirë, maskë dhe doreza. Të bëj dezinfektimin e shpeshtë të duarve dhe pas zbatimit të votimit të personit pozitiv me Kovid-19 ose personit që është në izolim shtëpiak, këto mjete, e kam fjalën për mantilin mbrojtës, maskën dhe dorezën do të duhet t’i hedhë në qese të veçantë”, deklaroi Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Deri më tani janë formuar 100 këshilla zgjedhorë. Është paraparë që nga një këshill të jetë në çdo komunë, por në komunat ku ka numër të lartë të të infektuarve, siç është Çairi, votimi do të mbulohet edhe me dy këshilla. Personat në izolim do të votojnë sot një javë, më 13 korrik. Për të realizuar të drejtën e votës nga shtëpia, personat në izolim dhe pozitiv me Kovid-19 duhet të paraqiten në ueb faqet e këshillave zgjedhor komunal.
