Çmimet e produkteve ushqimore nuk do të ulen me ndërmarrjen e masave afatshkurtra, vlerësojnë disa nga ekonomistët. Për ta zgjidhur këtë problem, duhet të goditet inflacioni bazë i cili, edhe pse nuk ndikon drejtpërdrejt në çmimet e ushqimit, ndihmon që ushqimi të jetë më i shtrenjtë. Sipas profesorit Sinisha Naumoski, Maqedonia ka inflacion bazë më të lartë se vendet e tjera në rajon.
“Pikërisht për shkak të atyre marzhave për të cilat kemi folur shpesh më parë. Inputet e vetë produkteve nga faza fillestare, nga prodhuesi, në fund arrijnë me përqindje më të larta fitimi te produkti final. Kjo është një nga arsyet, dhe shkaku i dytë mund të jetë niveli i ulët i produktivitetit, që ndikon në rritjen e pagave të vetë punonjësve, sidomos te ata ku produktiviteti tregon efikasitet më të ulët”, tha Sinisha Naumoski, profesor universitar.
Sipas analizave, përveç përmes marzhave dhe të ardhurave më të larta të një pjese të popullatës jo-produktive, në rritjen e çmimeve të ushqimit ndikojnë edhe elemente të tjera të inflacionit bazë. Ndër to janë rritja e çmimeve të shërbimeve, por edhe presioni që vjen nga turizmi dhe gastronomia. Problemi me inflacionin bazë është kompleks dhe për këtë Banka Popullore thotë se e ndjek situatën dhe se nevojiten përpjekje të koordinuara bashkë me Qeverinë, e cila është përgjegjëse për politikat fiskale.
“Për këtë arsye, mbështetja për arritjen e niveleve të pritshme të çmimeve, veçanërisht nga politika fiskale, është e mirëpritur pasi mund të ndikojë drejtpërdrejt në kërkesën në ekonomi, dhe ekziston konsensus nga të gjithë aktorët se inflacioni i ulët dhe i qëndrueshëm që ofron parashikueshmëri për qytetarët dhe bizneset është themel dhe mbështetje për rritjen e ekonomisë maqedonase”, thonë nga Banka Popullore.
Naumoski thekson se inflacioni i lartë bazë është arsyeja pse kemi norma më të larta të interesit në kredi, pra pse Banka Popullore nuk ndjek trendin e Bankës Qendrore Evropiane për uljen e normës bazë të interesit.
“Normat e interesit për sa i përket lëvizjes së normës diskontuese, në lidhje me normat e interesit të bankave komerciale, do të mbeten të ngrira për një kohë të gjatë. Kjo do të thotë më shumë kosto për kreditë”, vlerëson më tej Naumoski.
Problemin e inflacionit bazë e hapi kryeministri Hristijan Mickoski dy ditë më parë, kur komentoi pse inflacioni në qershor ishte 4.5 për qind, ndërsa për ushqimin 6.3 për qind. Ndryshe, inflacioni bazë është ai që nuk përfshin çmimet e ushqimit dhe të energjisë në përllogaritjen e vet.
