Dy partive më të mëdha nuk iu iku as dita e sotme pa akuza të ndërsjella partiake. Edhe pse çështja e arsimit ishte temë e seancës së planifikuar, megjithatë në këtë seancë, partitë më tepër e akuzuan njëra-tjetrën sesa që treguan konstruktivitet në diskutim.
“Thelbi i totalitarizmit është trajtimi i qytetarëve nga shteti si fëmijë çerdhesh, të cilët nuk u lejohet të rriten, sepse në qoftë se rriten, nuk do të jenë të dëgjueshëm dhe nuk do të nënshtrohen. Me anë të testimit ekstern, del se, për ardhmërinë e fëmijëve, më tepër qenka kujdesur Qeveria, sesa prindërit e tyre. Postulati themelor i nazizmit është se fëmijët e sapolindur u përkasin Nënës Gjermani, e jo prindërve të tyre. Kam ndjesinë se çdo lloj ngjashmërie në Maqedoni është e qëllimshme”, tha deputetja Renata Deskoska e LSDM.
Asaj iu përgjigj deputetja Daniela Rangelova e shumicës parlamentare. „Nëse më kujtohet dikush në “Komedinë hyjnore” të Dantes, më kujtoheni ju, deputetë të LSDM-së. Meqenëse se ferri i Dantes ka nëntë rrathë, në rrethin e parë ndodhen të pavendosurit. Nga këto nëntë rrathë, do ta përmendja të katërtin dhe të pestin, në të cilët ndodhen të zemëruarit dhe përtacët. Me siguri e keni gjetur veten këtu dhe jeni frymëzuar të flisni”, tha Rangellova e VMRO-DPMNE-së.
Në fund, seancën e ndërpreu deputeti i Partisë Lëvizja e Turqve, Enes Ibrahim, i cili filloi të flasë në gjuhën turke, duke hyrë në polemikë me kryetarin e Parlamentit. “E dimë që jeni alergjikë ndaj gjuhës turke. Madje megafonët tu i ndaluan edhe seritë turke… Do të qetësoheni?… do të lejoni?…”, tha ai. Pas kësaj spikeri Veljanovski shpalli pauzë të seancës.
Aleksandra Smilevska
