Për çfarë po ankohen ushtarët rusë?

TË FUNDIT

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, janë shfaqur disa grupe në rrjetet sociale ku anëtarët e ushtrisë ruse mund – në mënyrë anonime ose ndryshe – të flasin për problemet, me të cilat ballafaqohen për shkak të pjesëmarrjes së tyre në luftën në Ukrainë dhe mund të kërkojnë ndihmë nga një avokat.

Ankesat e tyre reflektojnë situatën e rëndë në ushtrinë ruse. Shumë ushtarë nuk janë bërë pjesë e rotacionit që të kthehen në shtëpi edhe pas më shumë se gjashtë muajsh; pagesat për pjesëmarrje në luftime janë vonuar; dhe vullnetarët e “rezervës së posaçme” që kanë nënshkruar kontratë me një “autoritet” misterioz, nuk kanë marrë kompensim për lëndimet e pësuara në fushëbetejë.

Sa i përket ushtarëve që janë plagosur në Krime apo në rajonin e Belgorodit, autoritetet ruse nuk i konsiderojnë këto zona si pjesë e “operacionit të posaçëm ushtarak”, një formulim që Kremlini insiston që të përdoret për të përshkruar luftën në Ukrainë. Por, në këto dy rajone, ka pasur shpërthime dhe granatime.

Grupet ku avokatët ofrojnë ndihmë për personelin ushtarak shpesh bllokohen nga administratorët në rrjetet sociale dhe disa avokatë edhe janë kërcënuar.

“Marr kërcënime anonime: ‘Kemi paraqitur një ankesë kundër jush në FSB, në Zyrën e Prokurorit, përgatitu, ata do të të thërrasin, një task-forcë është nisur drejt teje”, tregoi për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë, avokati Maksim Grebenyuk.

Ai është autor i kanalit në Telegram të titulluar “Avokati i Popullit i Ushtrisë”.

Në gusht të vitit 2020, një gjykatë në Moskë e dënoi Vladimir Vorontsovin, autorin e një kanali të ngjashëm në Telegram kushtuar policisë. Ai u dënua me pesë vjet burgim për zhvatje. Kur Grebenyuk kuptoi se REL-i e kishte intervistuar më herët Vorontsovin, ai me shaka tha: “A do të më burgosin edhe mua tani?”.

Në fakt, Grebenyuk mund të përballet me probleme për shkak të aktiviteteve të tij profesionale: Ai aktualisht përfaqëson një ushtar që gjendet në gjyq në Riazan, i cili ka refuzuar që të marrë pjesë në luftime. Karta e identitetit të këtij ushtari është vulosur nga autoritetet dhe në vulë thuhet: “Të prirë drejt tradhtisë, gënjeshtrave dhe mashtrimit”.

Sipas Grebenyuk, pasi nisi gjyqi, një përfaqësues i komandës së njësisë ku klienti i tij shërbente, dorëzoi një ankesë në gjykatën ushtarake në të cilën bëhej thirrje që Grebenyuk të akuzohej për “diskreditim të forcave të armatosura të Rusisë”.

“Tani ka më shumë ankesa”

Grebenyuk tha se krahasuar me muajin mars dhe prill, kur ai dha intervistat e para për mediat, ai tani pranon më shumë kërkesa nga personeli ushtarak dhe familjarët e tyre. Rajonet, nga të cilat ai merr më shumë kërkesa për ndihmë janë Kaukazi Verior dhe Lindja e Largët e Rusisë.

“Numri i kërkesave është rritur. Janë arritur shumë marrëveshje për shërbime juridike. Tani pranoj rreth 20 deri në 30 mesazhe në ditë, prej të cilave pesë deri në 10 shkojnë në konsultime. Ne arrijmë nga një ose dy marrëveshje për shërbime juridike në ditë. Këtu nuk përfshihen konsultimet apo korrespondencat e thjeshta. Po ashtu, ka shumë komunikim. Nëse çështja është e thjeshtë, tentoj që konsultimet t’i jap falas, nëse është e mundur”, tha ai.

Ankesat për kompensim për shkak të lëndimeve në luftë nuk paguhen dhe këto janë ankesat më të shpeshta.

“Iu them anëtarëve të ushtrisë: Keni një çështje të vështirë. Nuk ka dokumente mjekësore. Le të shkojmë në gjykatë dhe përmes gjykatës dhe ekzaminimeve mjekësore, le të tentojmë të vërtetojmë nëse ka ndonjë diagnozë se lëndimi është shkaktuar nga ‘operacioni i posaçëm’”, tha Grebenyuk.

“Tani ka më shumë personel ushtarak dhe familjarë të tyre që kanë ankesa të tilla”.

Në grupin e Grebenyukut në rrjetin social, VKontakte, ankesa të tilla shfaqen çdo ditë.

Në mëngjesin e 16 majit, në fshatin Majske afër Zhankoit në Krime, u dëgjuan krisma.

Më pas u kuptua se zhurmat u shkaktuan nga shpërthimi i municionit në depon e ushtrisë ruse që gjendet në një vend ku dikur ishte fermë. Banorët e këtij fshati u evakuuan, rrugët u mbyllën dhe linjat hekurudhore midis Zhankoit dhe Kerçit u ndalën. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se shpërthimet u shkaktuan nga sabotatorët ukrainas, edhe pse Kievi deri së fundmi kishte refuzuar të merrte përgjegjësinë për këtë shpërthim dhe çdo incident tjetër që ka ndodhur në Krime.

“Mirëmbrëma! Unë jam anëtar i ‘operacionit të posaçëm ushtarak’ në Ukrainë dhe jam plagosur nga predhat pas shpërthimit në fshatin Majske [Krime]. A më takon të pranoj pagesë presidenciale?”, shkroi një ushtar në grupin e Grebenyukut.

“Menjëherë pasi jam plagosur më kanë dërguar në një spital civil në Zhankoi ku i jam nënshtruar një operacioni. Më pas më kanë dërguar në Simferopol e pastaj në një spital në Grozni. Mësova për këtë pagesë dhe për dokumentet mjekësore në Grozni. Të gjithë doktorët thanë se ishte e nevojshme që të merrja një certifikatë për lëndimet në Zhankoi, por atje isha në spital civil dhe krejt çfarë më dhanë doktorët ishte një dokument përmbledhës për lëshim nga spitali”.

Ndërkaq, ushtarakët më me përvojë, në seksionin e komenteve u përgjigjën se certifikata nuk luan rol të madh: Pasi që ky ushtar ishte plagosur në Krime, gadishull të cilin autoritetet ruse e konsiderojnë pjesë të Rusisë, atij nuk i takon që të përfitojë kompensim.

Grebenyuk pajtohet.

“Sigurisht, në këtë rast do të jetë shumë problematike që ai të përfitojë kompensim sepse nuk është e qartë se pse u plagos. Me shumë gjasa, ai po ruante depon e municionit. Për më tepër, ka shumë rëndësi nëse njësia e tij ishte pjesëmarrëse në ‘operacionin e posaçëm ushtarak’”, tha Grebenyuk.

“Për shembull, marinsat e luftanijes së fundosur Moska, po ashtu nuk u njohën si pjesëmarrës në ‘operacionin e posaçëm’ sepse ata nuk ishin duke lundruar në ujërat e Ukrainës – pra, ata ishin në territorin e tyre. Më pas, në mënyrë retroaktive ata u futën në listat e njësive ushtarake që u përfshinë në ‘operacionin e posaçëm’. Atyre nuk u janë dhënë të gjitha pagesat – për plagosje, për vdekjen e pjesëtarëve të personalit – por, në këto raste autoritetet kanë pranuar vdekjen e personelit”, tha ai.

Ai shpjegoi se, zyrtarisht, “operacioni i posaçëm ushtarak” po zhvillohet vetëm në pjesë të Ukrainës që fillimisht ishin kontrolluar nga Kievi dhe në territoret separatiste në Donjeck dhe Luhansk.

“Por, kjo nuk nënkupton se lëndimet e pësuara nga ushtarët domosdo duhet të jenë shkaktuar në këto vende. Nëse një njësi ushtarake është e përfshirë në ‘operacionin e posaçëm’, por në një pikë hyn në rajonin e Belgorodit… ose vendoset në Krime, atëherë ushtarët e kësaj njësie duhet të kenë të drejtë të përfitojnë nga pagesat dhe nga ndihmat sociale. Por, nëse ata nuk janë pjesë e listave të njësive që marrin pjesë [në pushtim], dhe ata janë plagosur brenda Rusisë, atëherë ata ushtarë ka të ngjarë që nuk do të përfitojnë nga kompensimet”, shpjegoi Grebenyuk.

Sipas tij, gjetja nëse një njësi është pjesëmarrëse në “operacionin e posaçëm ushtarak” është një gjë e vështirë, por Gebenyuk tha se kjo mund të arrihet përmes kërkesave të dorëzuara nga avokatët.

Ka edhe ankesa të tjera sa i përket marinës, ankesa të cilat janë postuar në grupin e Grebenyukut nga personeli ushtarak. Për shkak të mungesës së këmbësorisë, komandantët rusë duket se po mundohen të mbushin boshllëqet duke vendosur në vija të luftës pjesëtarët e marinës.

“Djema, ka pasur raste kur marinsat janë larguar me forcë nga anijet dhe janë dërguar në njësitë e këmbësorisë të ‘operacionit të posaçëm’. Ata thonë se ose duhet t’i bindemi urdhrit ose do të na përjashtojnë nga puna. Unë jam më i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh në Flotën Veriore”, shkroi më 5 shtator një pjesëtar i marinës ruse në grupin e Grebeneyukut.

Më 6 shtator, gazetari ukrainas, Roman Tsymbalyuk, shkroi në Facebook se marina ruse nuk po arrin që të gjejë personel të mjaftueshëm për të formuar një ekip për anijen e saj të madhe, Admiral Chabanenko, anije që është dërguar në Severodvinsk. Kjo, sipas tij, po ndodh për shkak se kërkesa kryesore është që marinsat të nënshkruajnë një dokument ku thonë se janë të gatshëm të marrin pjesë në “operacionin e posaçëm ushtarak” dhe sepse shumë nga marinsat janë mësuar me operacionet luftarake si pjesë e këmbësorisë, dhe rekrutët e rinj po kanë frikë që të nënshkruajnë një dokument të tillë./REL