Për 10 ditë lirohen çmimet e produkteve bazë ushqimore! Bekteshi: Ulja të ndjeshme duhet të ketë pas 1 dhjetorit

TË FUNDIT

Pas 10 ditëve pritet që qytetarët produktet ushqimore bazë t’i blejnë me çmim më të ulët prej 5 deri në 12 %, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Shtoi se ulje më të ndjeshme të çmimeve pritet të ketë pas 1 dhjetorit, e kjo për shkak të subvencionimit të çmimit të energjisë elektrike për prodhuesit e këtyre produkteve ushqimore.

 “Unë pres që në 4-5 ditët e ardhshme të ulet çmimi i qumështit dhe produktet e qumështit, ndërsa deri në fund të javës së ardhshme të ulen çmimet edhe të produkteve të mishit, duke pasur parasysh se në këtë mënyrë i kemi bërë bisedat me prodhuesit e mëdhenj të këtyre produkteve”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Në rast se në raftet e marketeve, qytetarët nuk vërejnë se ka ulje, këto markete dhe dyqane të paraqiten në Inspektoratin Shtetërorë të Tregut, apeloi Bekteshi.

Nga 1 janari pritet që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, megjithatë Bekteshi siguroi se rritja nuk do të jetë drastike.

 “Nuk do të ketë rritje drastike të çmimit të energjisë elektrike nga 1 janari. Nuk do të ketë rritje as për ngrohje as për energjinë elektrike. Kjo për shkak se në po i bëjmë analizat dhe projeksionet adekuate. Mbrëmë fola me kryetarin e KRrE-së dhe tashmë ato janë të përgatitur me të gjitha të dhënat në konfirmimin e çmimit për 6 muajt e ardhshëm”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Bekteshi tha se nesër do të merret vendim plotësues që do të zgjerojë listën e aktiviteteve që do të mbështeten nga Qeveria në përputhje me kërkesat e Odës Ekonomike dhe i gjithë zinxhiri i industrisë së mishit do të mbulohet me energji elektrike të subvencionuar.