Persona fizik dhe juridik nuk po lejojnë që të zgjerohet rruga magjistrale që të çon në Bllacë, e njohur si “rruga e Kaçanikut”. Kjo sepse, siç tregon drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Ndërtim, Fatmir Arifi, shumica e tyre kanë uzurpuar prona shtetërore, por ka edhe prej tyre të cilët i kanë prona të tyre private. Siç njofton këta persona e kanë me patjetër t’i largojnë rrethojat ose në të kundërtën do t’u shqiptohen gjoba, ndërsa do të obligohen që t’i paguajnë edhe harxhimet për largimin e tyre.
“Gjatë ditës së sotme me inspektorët e Drejtorisë tonë jemi në teren për shkak pengesave të disa rrethojave të hekurta dhe të betonit, që persona fizik apo juridik nuk i largojnë në mënyrë vullnetare. Jemi në kontakt me komunën e Butelit për largimin e këtyre rrethojave pa dallim a janë pronë private apo shtetërore. Numri më i madh i këtyre, janë pronë e shtetit”, tregon Arifi.
Ndonëse Inspektorati për Ndërtim dhe Urbanizëm tanimë pesë muaj me radhë po u kërkon të largojnë rrethojat e betonit dhe hekurit, kjo gjë nuk ka ndodhur. Arifi thotë se atyre që kanë dokumente zyrtare të pronave, parcela do u kompensohet me të holla në mënyrë gjyqësore.
“Në qoftë se janë prona private atëherë duhet të kompensohen. Ato shkojnë përmes gjyqit. Kjo nuk do të thotë se nuk munden t’i largojnë, duhet t’i largojnë sa më shpejtë! Kemi dy raste të cilët kanë uzurpuar pronën e shtetit. Jemi në koordinim me komunën e Butelit dhe Inspektoratin e Butelit me të cilët kemi bërë procesverbal dhe me siguri ato procesverbale do t’ua dorëzojmë edhe juve mediave”, u shpreh më tej Arifi.
Televizioni 21 kontaktoi edhe me kryetarin e Butelit, Darko Kostovski. Na informoi që komuna do të veprojë sapo të konfirmojë gjendjen në teren.
“Inspektorati komunal për ndërtimtari më shpesh del në teren pas denoncimeve nga qytetarët. Në rastin konkret me “Rrugën e Kaçanikut” mund të veprojmë edhe pa denoncim. Javën e ardhshme inspektorët do të dalin në teren që të kryejnë mbikëqyrje për gjendjen faktike në këtë vend dhe do të vijojnë vendime në përputhje me ligjin. Padyshim që sipas projektit për infrastrukturë dhe projektit bazë, në përputhje me ligjin do të largohen të gjitha objektet e uzurpuara të cilat hasin në trasenë e paraparë”, bëri të ditur Kostovski.
Sipas informacioneve të TV21, këto pengesa duhet të largohen më së voni më 18 korrik. Në të kundërtën, do të veprojë autoritetet shtetërore e më pas kompanitë do të duhet t’i paguajnë harxhimet për largimin e tyre, ndërsa nuk do t’i shpëtojnë as gjobës për uzurpim. Pronarë të bizneseve që veprojnë në këtë magjistrale, prapa kamerave na thanë se për ta zgjerimi dhe ndërtimi i kësaj rruge është jetike pasi në këtë mënyrë do të lehtësohet funksionimi i bizneseve dhe kanë vite me radhë që e presin këtë.
