Sa respektohet dhe sa njihet protokolli gjatë organizimit të drekave dhe darkave solemne nga ana e institucioneve. Duket se në Maqedoninë e Veriut aspektit protokollar nuk i jepet shumë rëndësi. Lukrecija Maljkoviç Atanasovska nga Kompania Protokoll Academy komentoi darkën solemne të shtruar me rastin e muajit të Ramazanit nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Në këtë darkë morën pjesë të gjithë krerët e shtetit. Por pati një problem. Siç ndodh rëndom, nuk ishte respektuar ulja e zyrtarëve sipas protokollit.
“Një president i shtetit nuk duhet të ulet në kënd të tavolinës. Presidenti i shtetit duhet të ulet përballë organizatorit të darkës. E gjithë radhitja e funksionarëve është e gabuar dhe e përzier. Gjithçka është gabim”, Lukrecija Maljkoviç Atanasovska – PROTOCOL ACADEMY.
Goce Paçemski thotë se organizatorët nuk i japin rëndësi protokollit por vetëm fjalimeve të cilat bëhen gjatë këtyre organizimeve.
“Për shkak të natyrës së ngjarjes, vendi i figurave të larta në shtet, duke përfshirë presidentin dhe funksionarët e tjerë, duhen të jenë së bashku me përfaqësuesit fetarë dhe me organizatorët, e jo në anën e kundërt. Organizatori i ngjarjes ka harruar që mesazhin që do ta marrë publiku për ngjarjen është gjithashtu nga mënyra se si njerëzit ulen, se si janë vendosur, rëndësia që u është dhënë vetë ngjarjes. Ky nuk është rasti i parë nuk do të jetë i fundit sepse nuk u kushtojnë vëmendje këtyre aspekteve në përgjithësi”, GOCE PAÇEMSKI – ekspert PR.
Nga presidenca thonë se protokollin e vendos personi i cili ka ftuar presidentin dhe ata nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështje organizimi. Ndërsa nga organizatori Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore nuk ka përgjigjë për këtë lëshim.
Nga ana tjetër kur flitet për ngjarje të tilla, sipas protokollit shtetëror, dhe standardeve ndërkombëtare, tre funksionet e para të shtetit, President i shtetit, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, nuk guxojnë të jenë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë që të tre së bashku. Kjo përbën shkelje sepse rrezikon sigurinë e tre funksioneve më të rëndësishme në shtet.
