Vërejtja e Komisionit europian në lidhje me funksionimin e Kuvendit, përkatësisht me polarizimin e madh dhe bllokadën, bëhet tema kryesore në negociatat e mëtutjeshme të Maqedonisë për anëtarësimin në BE. Presidenti Stevo Pendarovski tha se suksesi i negociatave nuk është qëllimi i vetëm i një garniture politike, por se ky është projekt nacional.
“Të gjithë duhet të japim kontributin tonë, nga Kuvendi që e ka vendin qendror në miratimin e legjislativin europian, Qeveria, presidenti, vetëqeverisja lokale, ekspertët e sektorit civil, mediat. Integrimet europiane nuk mund të jenë qëllim dhe prioritet i vetëm një garniture politike. Ky është projekt nacional që të gjitha partitë relevante politike e përkrahin që nga fillimi i pavarësisë së Maqedonisë deri në ditën e sotme. Andaj apeloj deri te të gjithë faktorët politikë, pushteti, opozita, në mënyrë konstruktive të kyçen në procesin dhe të kontribuojnë për zhvillimin e tij të papenguar”, tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Edhe shefi i diplomacisë Bujar Osmani apeloi deri te pushteti dhe opozita që të bashkëpunojnë. Duhet të arrijmë konsensus nëse duam anëtarësim në BE, tha ai.
“Fatkeqësisht Komisioni konstatoi se Kuvendi nuk është në krye të detyrës për shkak të polarizimit dhe bllokadave të Kuvendit. Sa u përket ligjeve që kanë të bëjnë me BE, duhet të ulemi dhe të arrijmë marrëveshje e cila do t’i tejkalojë kornizat e një mandati. Marrëveshje mes subjekteve politike, marrëveshje shtetërore mes partive politike, në lidhje me këtë temë, pavarësisht se kush do të jetë nesër në pushtet e kush është sot në opozitë, duhet të kemi qëndrim të unifikuar”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
E derisa nga pushteti thonë se Raporti i Komisionit evropian tregon se ka progres në shtet, nga opozitarja VMRO-DPMNE vlerësojnë se i njëjti e tregon neglizhencën e Qeverisë për zbatimin e reformave, ndërsa për vlerësimin ndaj Kuvendit, gishtin e drejtuan kah pushteti.
“Raporti e notoi mos caktimin e seancave në muajt e fundit për pyetjet e deputetëve në Kuvend, që tregon frikë nga debati brenda Kuvendit, nga mbikëqyrje, debati, pa ofendime dhe shpifje. Raporti është me vërejtje edhe për ligjet me flamurë të rrejshëm europian, me të cilat do që të bëhen ndryshime që i konvenojnë pushtetit, BDI-së dhe LSDM-së, në 81 raste të tilla”, tha Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Në Raportin e KE-së si një prej vërejtjeve është edhe mosfunksionimi i Kuvendit që është bllokuar në sjelljen e ligjeve të rëndësishme.
