Pendarovski: Raportet me Bullgarinë po përkeqësohen! Shënimi i ditëlindjes së Dellçevit u shfrytëzua për ngritjen e tensioneve

TË FUNDIT

Raportet me Bullgarinë po përkeqësohen posaçërisht pas shënimit të ditëlindjes së Goce Dellçevit, konstatoi presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në konferencën e përbashkët për media me presidenten hungareze, Katalin Novak, e cila është në vizitë në vend. Sipas tij ngritja e tensioneve të tilla është e panevojshme për shkak se secili i cili në mënyrë të qetë ka dashur ta vizitojë varrin e Dellçevit, kjo gjë i është mundësuar, por ata që janë munduar që ta sulmojnë policinë janë deportuar nga vendi jonë. Le të paraqitet një shtetas bullgar të cilit i është ndaluar hyrja përveç provokatorëve, tha Pendarovski.

“Raportet maqedonase-bullgare, është e qartë, ndërsa këtë gjë ju e ndiqni dhe publikoni, kohën e fundit po përkeqësohen. Kishim një lloj qetësimi pas pranimit të kornizës negocuese europiane verën e kaluar, hymë në procesin e skriningut, për fat të keq ditëlindja e Goce Dellçevit u shfrytëzua për ngritjen e tensioneve, gjë që sipas meje është krejtësisht e panevojshme”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Presidentja hungareze Novak tha se anëtarësia e Maqedonisë në BE ka rol të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Europën. Ajo para vizitës së vendit tonë ishte në vizitë të Bullgarisë ku u takua me presidentin Rumen Radev. Tha se deshi t’i dëgjonte të dyja palët dhe të kontribuojë që të largohen të gjitha pengesat në procesin e mëtutjeshëm të eurointegrimeve të vendit.

“Ashtu siç ishim një prej përkrahësve  më të mëdhenj të Maqedonisë në rrugën e anëtarësimit në NATO  dhe tashmë Maqedonia është anëtare e NATO-s, shpresojmë se së shpejti do të mundemi ta përshëndesim Maqedoninë e Veriut në BE. Ne do të angazhohemi nëse kemi mundësi që të kontribuojmë që këto mospajtime sa më shpejtë që është e mundur të sqarohen”, pohoi Katilin Novak, president i Republikës së Hungarisë.

Presidentja e Hungarisë Novak pas takimit me Pendarovskin shkoi në kishën Shën Spasi që ta nderojë revoluacionarin maqedonas Goce Dellçev. Zhvilloi takime edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi.