Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në ClickPlus ka komentuar bllokadën e opozitës shqiptare, ASH-AAA për çështjen e Ligjit për shtetësinë.
Ai deklaroi, se ky vendim i opozitës për bllokadë erdhi nga presioni i publikut, pasi siç tha, pas deklaratës së tij të parë, kur tha se kjo është në kundërshtim me legjislacionin evropian, ata u shprehën për modifikim të propozimit.
Megjithatë, Pendarovski e ka porositur opozitën, se nuk mund të bllokohet një institucion i tërë për shkak të një projekti.
“Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë shprehur se mund ta definojnë, që të jetë në korniza të legjislacionit evropian. Vlerësimi im është se pas kësaj, meqë u ngjall debat i madh dhe prandaj erdhi ajo çfarë u deklarua: Asgjë nuk mund të kalojë në Kuvend pa kaluar kjo gjë. Atëherë unë këtë e cilësoj si filibastering në Kuvend. Nuk mund të bllokoni tërë institucionin, për një projekt të vetëm”, tha Pendarovski.
Ai ka sqaruar, se asnjë shtet evropian nuk e praktikon këtë metodë, që nëpërmjet tre dëshmitarëve të fitohet shtetësia.
“Unë nuk mendoj se duhet të kalojë nëse është ashtu. Unë kur i kam analizuar faktet, mendoj se nuk duhet të fitohet ashtu shtetësia”, tha më tej Pendarovski.
