Presidenti Stevo Pendarovski është mysafiri i parë i presidentit të ri kroat, Zoran Milanoviq i cili u zgjodh para një viti, por për shkak të koronakrizës ai nuk ka pasur takime zyrtare.
Pendarovski me nderime ushtarake dhe intonimin e himneve të të dy shteteve, është pritur në Villën e Milanoviqit, kurse më pas ka vijuar edhe fotografi familjare e përbashkët para fillimit të takimit tet-a-tet, raporton TV21.
Temë e diskutimit të takimit do të jetë edhe rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.
Pendarovski sot do të takohet edhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Nesër, në ditën e dytë të vizitës, presidenti Pendarovski do të paraqitet në takimin bilateral – me fokus investimet që janë organizuar në bashkëpunim me Odën Tregtare të Kroacisë, ndërkaq në të do të marrin pjesë edhe delegacioni i biznesit të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kohës së vizitës zyrtare, presidenti Pendarovski do të shoqërohet nga bashkëshortja, Elizabeta Gjorgievska.
Vizita e Pendarovskit në Zagreb u dakordua në kuadër të Samitit të Procesit Bërdo-Brion./TV21
