Stevo Pendarovski, kandidati për president të shtetit, kërkon votat e shqiptarëve. Më votoni që të mos marrë shteti ndonjë kahje tjetër ishte porosia e tij një ditë pas ciklit të parë të zgjedhjeve presidenciale.
“Pres mbështetje në rrethin e dytë dhe fitore të bindshme që Maqedonia të bëhet me president për të gjithë qytetarët. Jam i kënaqur që në rrethin e parë shumica e qytetarëve votuan për Maqedoni përparuese dhe evropiane. Do të doja t’u drejtohesha qytetarëve që votuan për z.Blerim Reka. Prej tyre e pres mbështetjen për rrethin e dytë dhe u bëj thirrje që në mënyrë masive të dalin në votim”, u shpreh Kandidati për President, Stevo Pendarovski.
Pendarovski siguroi se nuk do të bëjë tregti me vota dhe nuk do të bisedojë me partitë shqiptare opozitare, për të marrë votat e shqiptarëve që votuan për kandidatin Blerim Reka.
“Sipas të gjitha gjasave unë jo. Mendoj se deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshjeje lidhur me… nëse aludoni për dikë nga strukturat qeverisëse. Mendoj se as nuk do të shkohet me këtë. A e dini pse? Sepse, unë pajtohem me tezën se nuk kemi nevojë nga “tregti politike”, tha Stevo Pendarovski, Kandidat për President.
Kurse kreu i LSDM-së Zoran Zaev, thotë se koncepti i tyre çon përpara vendin ndërsa ka ftuar qytetarët që në balotazh të vulosin fitoren e kandidatit pro evropian, Stevo Pendarovski.
“Unë e di se në rrethin e dytë, edhe më shumë qytetarë do ta përkrahin përparimin, sepse fitorja është në avancim dhe në konceptin i cili çon drejt BE-së dhe NATO-s. Është e qartë se në rrethin e dytë koncepti i Stevo Pendarovskit do ta marrë përkrahjen edhe më shumë të qytetarëve. Më shumë qytetarë do t’i bashkëngjiten fitores së Pendarovskit dhe të vendit tonë. Shumica e qytetarëve, e kanë njohur dallimin dhe ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme në rrethin e parë zgjedhor”, theksoi Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kandidati për president Pendarovski, beson se edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me 5 maj do të arrihet censusi i kërkuar pasi asnjë parti politike nuk bojkoton këto zgjedhje.
Përgatiti: Zimer Jashari
