Stevo Pendarovski edhe zyrtarisht nga anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e mori certifikatën për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila është shkruar në maqedonisht dhe shqip. Ai u falënderua kundër-kandidatëve të tij dhe institucioneve që ishin pjesë e procesit zgjedhor për vlerësimin pozitiv. Pendarovski tha se pas disa dekadash kemi treguar se mund të sillemi në mënyrë evropiane
“Të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor e pranuan rezultatin zgjedhor, gjë që ndodh pas 25 viteve në vend dhe është rekomandim jashtëzakonisht i mirë për ne, si vend”, theksoi Stevo Pendarovski, president i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse fillimisht ishte përgatitur vetëm në gjuhën maqedonase, certifikata zyrtarisht është dygjuhësore. Sipas informatave të TV21, mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ditëve të fundit ka pasur debat të ashpër mbi këtë çështje. Ka pasur opsione që certifikata të ketë dy versione, por siç mësuam, pas reagimeve të Ditmire Shehu dhe Enver Salihi, të cilët kanë thënë nëse nuk bëhet në dy gjuhë ata do ta bojkotojnë ceremoninë e dorëzimit, u vendos që certifikata të jetë në gjuhën maqedonase dhe shqip, siç është paraparë me ligj.
Ndryshe, Pendarovski nesër për herë të parë do të hyjë në Rezidencë dhe do të takohet me të gjitha të punësuarit. Revanshizëm politik nuk do të ketë për ata që kanë punuar sipas ligjit, premtoi Pendarovski. Të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin, shton Pendarovski, nuk do të punojnë më as në Kabinetin e Presidentit, as në Agjencinë për Kundërzbulim, e as në Armatë. Sipas tij, tashmë disa prej tyre janë thirrur për bisedë tek organet e drejtësisë.
“Të gjithë të tjerët nuk do të ndjejnë se ka njeri të ri në rezidencë dhe mendoj se kjo duhet të jetë parimi i punës në të gjitha institucionet, në çdo ndryshim të pushtetit. Revanshizmi politik duhet të mbetet në të kaluarën”, u shpreh presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Gjatë javës së ardhshme do të formohet ekipi ligjor i Presidentit të ri. Disa prej 20 ligjeve do të nënshkruhen qysh në ditët e para pasi të hyjë në Kabinetin presidencial. Duke pasur parasysh se në qendër të vëmendjes në Bruksel janë zgjedhjet, disa takime të Pendarovskit që janë të caktuara të mbahen më 23 e 26 të këtij muaji, do të prolongohen. Sipas informatave të deritanishme, në inaugurimin e nesërm do të marrin pjesë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i Shqipërisë, Ilir Meta, i Bullgarisë, Rumen Radev dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përgatiti: Aleksandra Velinova
