sh sekretari i shtetit, Kolin Pauell sot deklaroi se ai nuk është më republikan pasi presidenti Donald Tramp nxiti turmën e njerëzve në Kapitoll Hill dhe e kritikoi Partinë Republikane për mbështetjen e sjelljes së tij, transmeton Si-En-En.
“Ata e bënë në mënyrë që të mos mund ta quaj më veten republikan. Unë nuk jam përkrahës i askujt tani, unë jam thjesht një qytetar që kam votuar për republikanët dhe demokratët gjatë gjithë karrierës sime. Dhe tani thjesht po shikoj vendin tim dhe nuk jam i shqetësuar për partitë”, deklaroi Pauell për gazetarin Farid Zakarija.
Fjalët e Pauellit, një figurë e rëndësishme për Partinë Republikane i cili shërbeu në shumë administrata dhe dikur konsiderohej si kandidat i mundshëm presidencial, e nënvizojnë tjetërsimin e vazhdueshëm të të ashtuquajturës elitë republikane nga tendenca moderne nën Trampin.
Sekretari i parë me ngjyrë i shtetit dhe kryetari i Shtatmadhorisë së Përbashkët ka kritikuar gjatë kohë Trampin dhe ka votuar për presidentin e zgjedhur Xho Bajden në zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa më parë ka votuar kundër Trampit në vitin 2016. Ai kritikoi republikanët për mos dënimin e Trampit në të kaluarën dhe për të dielën paralajmëroi vendosjen e interesave të tyre politike mbi ato amerikane.
“Ata duhet të kishin ditur më mirë, por ata ishin aq të preokupuar me reputacionin e tyre politik dhe askush prej tyre nuk donte të ndërmerrte rreziqe politike”, tha Pauell.
“Kjo është ajo që na duhet. Kemi nevojë për njerëz që do të thonë të vërtetën, të cilët do të kujtojnë se ata janë këtu për bashkëqytetarët tanë. Ata janë këtu për vendin tonë. Ata nuk janë këtu për t’u rizgjedhur”, tha Pauell.
