Nëse më parë tema për luftën kundër korrupsit përmendej vetëm për ndonjë rast të veçantë, këto ditë, pas paralajmërimit të ambasadores së SHBA-ve, Anxhela Ageler dhe pas ardhjes së ekipit amerikan për sanksione nga Uashingtoni, kjo çështje u bë temë kryesore për debat në të gjitha nivelet. Edhe zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska me rastin e shënimit të 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për Luftë kundër Korrupsionit, mbajti takim me institucionet që janë kompetente për ballafaqim me këtë fenomen. S’kemi kohë për të humbur, s’kemi kohë për pretekste, nevojitet progres thelbësor, theksoi ajo.
“Qytetarët nuk do të na falin vlerësimin e mëtutjeshëm negativ të gjendjes në fushën e korrupsionit. Neve na duhen ndryshime thelbësore nëse duam t’i vendosim vlerat e BE-së. Nuk do të jem më politikisht korrekte. Mendoj se që moti ka kaluar koha kur ishim politikisht korrektë, veçanërisht duke i marrë parasysh zhvillimet në sistemin gjyqësor.”- tha Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.
Lufta kundër korrupsionit është një prej pikave kryesore ku qëndron fokusi i BE-së gjatë procesit negociues, tha zv/kryeministri për çështje europiane, Bojan Mariçiq.
“Në çdo kapitull dhe sferë kërkohet që të japim përgjigje se cila është politika jonë kundër korrupsionit në një sferë konkrete. Kemi këtu listë nga Raporti ku për çdo sferë ka rekomandime dhe rezultate konkrete. Tani lufta kundër korrupsionit po ndiqet vertikalisht dhe horizontalisht, ky është rezultat i metodologjisë së re që i ashpërson kriteret në procesin e eurointegrimit.”- tha Bojan Mariçiq, Zv/Kryeministër Për Çështje Europiane.
Mesazh dërgoi edhe euroambasadori Dejvid Gir i cili tha se vendi tani është në udhëkryq nëse do ta luftojë korrupsionin, sepse, siç tha, korrupsion ka në të gjitha institucionet.
“A mund të ndryshohen punët? Kategorikisht – po! Ky vend është në udhëkryq, duhet zgjidhur nëse do të lëvizë me vendosmëri që të ballafaqohet me korrupsionin ose do të lejojë që skemat e korrupsionit të thellohen edhe më shumë. Keni strategji gjithëpërfshirëse për luftë kundër korrupsionit me detyra dhe mandate të qarta dhe precize për çdo institucion që ka përfaqësues në këtë hapësirë. Shfrytëzojeni këtë.”- tha Dejvid Gir, Euroambasador.
Maqedonia në Indeksin e fundit për perceptim të korrupsionit për 2021 të Transparency International u rendit në vendin e 87-të, që është më mirë krahasuar me vitin 2020 kur ishim në vendin e 111-të.
