Pasardhësi i Merkel, Scholz prezanton një pjesë të kabinetit të ri

TË FUNDIT

Kancelari i emëruar i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëroi disa gra sot në postet kryesore të qeverisë, duke përmbushur premtimin e tij të fushatës zgjedhore për një kabinet të balancuar gjinor.

Udhëheqësi socialdemokrat emëroi Christine Lambrecht, ministren aktuale të drejtësisë të vendit, si ministre e Mbrojtjes.

Nancy Faeser, një politikane me përvojë, do të bëhet ministrja e parë femër që do të udhëheqë ministrinë e Brendshme të vendit.

Scholz u tha gazetarëve se katër nga shtatë postet ministrore të Social Demokratëve (SPD) në qeverinë e re të koalicionit do të plotësohen nga gra.

Ai emëroi Svenja Schulze, ministren aktuale të Mjedisit, si ministre të Zhvillimit. Klara Geywitz, një figurë e shquar e socialdemokratëve, do të marrë postin e ri të ministres për Strehimin.

Partneri i koalicionit të SPD-së, të Gjelbrit, emëroi gjithashtu politikanet femra në postet kyçe në qeverinë e re.

Annalena Baerbock, bashkëkryetarja e të Gjelbërve, do të bëhet ministrja e ardhshme e jashtme e Gjermanisë, kurse Steffi Lemke do të drejtojë ministrinë e mjedisit.

Qeveria e koalicionit trepartiak e SPD-së, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë Liberalë, do të betohet në parlamentin federal të mërkurën.

SPD e Scholz-it fitoi ngushtë zgjedhjet e 26 shtatorit kundër Kristian Demokratëve të Angela Merkelit dhe arriti një marrëveshje koalicioni me dy partitë më të vogla muajin e kaluar.

Pas 16 vitesh në pushtet, Merkel nuk kandidoi në zgjedhje dhe tha se do të largohet nga politika aktive sapo qeveria e re të marrë detyrën.