Presidenti rus, Vladimir Putin duke nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve, Donjetsk dhe Luhansk. Franca ka qenë në mesin e shteteve që ka bërë thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit.
Gjatë adresimit në takim, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka hedhur dyshime ndaj pretendimit të presidentit rus, Vladimir Putin se urdhri për të dërguar trupa në dy rajonet ukrainase ka të bëjë me rol paqeruajtës.
“Ai i quan ata paqeruajtës. Kjo nuk ka kuptim. Ne e dimë kush në të vërtetë janë ata”, ka thënë Thomas-Greenfield.
Urdhri i Putinit është parë si hapje e rrugës për një operacion dhe për angazhim të trupave që ka mbledhur në kufijtë e Ukrainës.
Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit të hënën duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia.
Thomas-Greenfield ka thënë se fjalimi ka pasur “një mori pretendimesh të rreme”, të cilat kanë pasur synim “krijimin e një arsyetimi për luftë”.
Rusia, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar që takimi të mbahej me dyer të mbyllura, mirëpo SHBA-ja ka insistuar të jetë takim publik.
Greenfield ka thënë se pasojat e veprimeve të Rusisë do të jenë të llahtarshme për Ukrainën, Evropën dhe botën, dhe se mund të ketë më shumë viktima nëse Moska pushton më shumë.
I dërguari i posaçëm rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë se Moska mbetet “e hapur për diplomaci”, mirëpo ka theksuar nevojën për të mbrojtur zonat separatiste nga ai që e ka cilësuar agresion ukrainas.
Ukraina ka kërkuar mbajtjen e takimit pas vendimit të Putinit dhe kërkesa e saj është mbështetur nga tetë vende anëtare të Këshillit, përfshirë, SHBA-në, Britaninë, dhe Francën.
Ky ka qenë takimi i tretë i Këshillit të Sigurimit për të diskutuar rreth Ukrainës në javët e fundit.
Megjithatë aty nuk është marrë ndonjë vendim sepse Rusia ka fuqinë e vetos, ashtu sikurse Franca, Britania, Kina dhe SHBA-ja.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres beson se Rusia ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës me vendimin e saj për të njohur lindjen e Ukrainës në entitete të pavarura, ka thënë një zëdhënës i tij.
Burimi: RTV21
