Pas vizitës së presidentëve në Romë, Zaev pret përparim – Radev: Maqedonia varet nga Bullgaria

TË FUNDIT

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski dhe homologu i tij bullgar Rumen Radev do të udhëtojnë në Romë për t’i nderuar vëllezërit Shën Kirili dhe Metodij. Kjo, sipas kryeministrit Zaev paraqet shtysë të fortë në drejtim të zgjidhjes së kontestit mes të dyja vendeve. Ai këtë e deklaroi gjatë fjalimit të tij para përmendores së Kirilit dhe Metodit në Universitetin Shtetëror.

“Pres që mes Presidentit tonë, Pendarovski dhe Presidentit bullgar, Radev të arrihet një hap përpara në drejtim të tejkalimit të këtij problemi, i cili e bllokon integrimin evropian të të gjithë Ballkanit Perëndimor, por edhe perspektivat tona evropiane. Besoj se fryma evropiane, të cilën e kultivon Presidenti Radev, por edhe Presidenti ynë do të japë shtysë mes tyre për të bërë një hap përpara dhe për të vazhduar më tutje”, deklaroi Zaev.

Në të njëjtën kohë, Presidenti bullgar, Rumen Radev, thotë se me Pendarovskin do ta shpalosin vullnetin e përbashkët, të ndërsjellë dhe politik, por shton se integrimet e Maqedonisë varen nga Bullgaria.

“Papritmas u bëra shumë interesant për të gjithë liderët evropianë. Në nivel ditor kishim ftesa për të biseduar me së paku dy kryeministra, një President dhe një eurokomisionar. Kështu që, ndaj Bullgarisë ka shumë vëmendje, nuk do ta shqiptoj fjalën – presion. Gjëja më e rëndësishme është se Bullgaria, si anëtare e përgjegjshme e BE-së të mos lejojë që brenda Unionit të futen probleme të reja. Mendoj se mënyra e zgjidhjes së të gjitha problemeve, mënyra e hapjes së rrugës evropiane të vëllezërve tanë nga RMV-ja, para së gjithash kalon përmes Sofjes”, tha Radevi.

Presidenti Pendarovski javën e kaluar tha se në udhëtimin e përbashkët me Radevin pret të bisedojnë edhe për kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por se këto do të jenë vetëm biseda joformale. Pendarovski dhe Radevi në Romë do të nisen më 26 dhe 27 maj me aeroplanin e Presidentit bullgar.