Komisionari Evropian për Drejtësi, Didier Reynders, ka thënë se njohja e pavarësisë së rajoneve Donjeck dhe Luhansk nga ana e Rusisë dhe dërgimi i trupave në ato territore përbën “akt të luftës”.
Ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm për të vënë sanksione kundër Rusisë. Reynders ka thënë se duhet të ketë pajtueshmëri unanime mes vendeve anëtare për të miratuar sanksionet. Ai ka thënë se masat mund të shtohen gradualisht, varësisht prej veprimeve ruse.
Lloji i parë i sanksioneve mund të lidhet me ndalesë në udhëtime kundër individëve dhe sanksione kundër subjekteve ekonomike, përmes konfiskimit të aseteve në Evropë dhe më tej.
Përveç kësaj, Reynders ka thënë “se do të jetë e nevojshme të garantohet që nuk do të ketë më importim të mallrave dhe shërbimeve nga Rusia, sikurse energjia dhe që të ndërpritet qasja globale e Rusisë në shërbimet financiare”.
“Gjithçka është në tavolinë”, ka thënë ai, duke shtuar se vendet anëtare do të diskutojnë sa graduale do të jenë masat si dhe për mundësinë e diplomacisë në mënyrë që të ulet konflikti.
Britania e Madhe dhe Gjermania janë vendet e para që veçse kanë ndërmarrë sanksione kundër Rusisë.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë. Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.
Ndërkaq, kryeministri i Britanisë, Boris Johnson tha se do të sanksionojë pesë banka ruse dhe tre individë të pasur, përfshirë edhe Gennady Timchenko, pas vendimit të Putinit për rajonet lindore të Ukrainës.
Në anën tjetër, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po e shqyrtojnë një paketë të sanksioneve kundër Rusisë dhe ajo pritet të finalizohet pa vonesa, thanë sot krerët e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë zotuar se do të vendosin sanksione të reja kundër Moskës.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë më se Uashingtoni është duke u koordinuar me aleatët dhe shpejt do të bëjë të ditura sanksionet e reja kundër Moskës.
Tregjet globale të aksioneve kanë rënë ndërsa çmimi i naftës është rritur pas vendimit të Putinit për të njohur pavarësinë e këtyre rajoneve dhe vendimit për të dërguar trupat ruse në to, çka ka rritur shqetësimet për luftë të plotë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka mbajtur një takim me pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ka zhvilluar biseda telefonike me disa liderë botërorë në përpjekje për të rritur mbështetjen për shtetin e tij.
“Ne presim hapa të qartë dhe mbështetje efektive nga partnerët tanë”, ka thënë ai në një fjalim televiziv.
“Është shumë e rëndësishme të shohim kush është miku dhe partneri ynë i vërtetë, dhe kush do të vazhdojë të frikësojë Federatën ruse me fjalë”, ka thënë ai.
Veprimet e fundit të Rusisë i ka dënuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Leyen.
Burimi: RTV21
