Pas pothuajse pesë viteve, raund i ri i kontakteve preliminare mes Greqisë dhe Turqisë

TË FUNDIT

Pas një pauze prej pothuajse pesë viteve, sot në Stamboll vazhdojnë kontaktet preliminare mes Greqisë dhe Turqisë, me mbajtjen e raundit të 61-të, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Qëndrimi i palës greke është se çështjet që kanë të bëjnë me përcaktimin e zonës ekskluzive ekonomike dhe shelfin kontinental në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor, janë temat e vetme për të cilat bisedon Greqia, e në asnjë rast nuk bisedohet për demilitarizimin e ishujve.

Bëhet fjalë për kontakte joformale e jo për negociata, nuk ka obligime mes dy palëve, nuk ka procesverbal dakordues, nuk merr pjesë një palë e tretë dhe nuk ka informim për përmbajtjen e bisedimeve, ndërsa qëllimi është nëse ka përputhje të qëndrimeve në të ardhmen mundësisht do të mbaheshin negociata.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias në intervistë për edicionin e fundjavës të gazetës “Efimerida ton sindakton” tha se nëse nuk ka marrëveshje në negociatat të cilat mund të zgjasin pas kontakteve preliminare, të dy palët do të duhet të dakordohen për tekstin e përbashkët që në vazhdim do t’i parashtrohej Gjykatës ndërkombëtare në Hagë.

Theksoi se Greqia në kontakte vjen me vullnet të mirë dhe frymë konstruktive dhe kryesisht shfaqi shpresë se i njejtë është qëndrimi edhe i palës turke.

Raundi i fundit i kontakteve preliminare mes Greqisë dhe Turqisë u mbajt në mars të vitit 2016.