Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut sot, pas pesë ditëve debat, duhet ta votojë për Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2021.
Pushteti dhe opozita gjatë debatit të deritanishëm, kanë shprehur qëndrime të kundërta për propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm.
Për pushtetin, Buxheti ofron qëndrueshmëri, shpenzime racionale dhe është vazhdim i politikave përgjegjëse, të zbatuara në të kaluarën. Potencuan se Propozim-buxheti është i përqëndruar në përkrahje të shëndetësisë dhe rikuperimit ekonomik.
Opozita, megjithatë, vlerëson se Buxheti i propozuar është megaloman dhe joreal. Me të, siç theksuan, nuk do të sigurohet konsolidim financiar, por do të rritet borxhi publik, i cili do të arrinte në 67 për qind.
Në propozimin e plotësuar janë përmbajtur 18 amandamente, të pranuara gjatë debatit para Komisionit amë kuvendor për financim dhe buxhet.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi në elaborimin para deputetëve potencoi se Propozim-buxheti i plotësuar është real dhe në të janë ndarë mjete aty ku do të japin efekt dhe rezultate më të mira.
Me projeksionet në Buxhet, siç theksoi, pritet të sigurohet qëndrueshmëri të veprimtarive ekonomike në vend dhe të vendeve të punës, të rikuperohen veprimtari të caktuara, të sigurohet stabilitet në transferet sociale dhe të sigurohen politika, të cilat më tej do të ndihmojnë për zbatimin e strategjisë së shpejtë të daljes, me qëllim të vazhdimit të trendeve pozitive të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.
Të ardhurat e Buxhetit për vitin janë planifikuar në nivel të 212,6 miliardë denarë, ndërsa harxhimet në 247,5 miliardë denarë. Deficiti i projektuar është 34,9 miliardë denarë.
