Ivana Atanasovska ndjen përmirësim të shikimit, sidomos me syrin e djathtë pas ndërhyrjes në Rusi, të cilën e ka kryer doktor Moldashev në Spitalin Shtetëror të Qytetit Ufa, gjegjësisht në Qendrën për Kirurgjinë e Syve. Operacioni është bërë kah fundi i janarit, kurse rezultatet përfundimtare priten pas 3-6 muajve. E gjithë ndërhyrja ka zgjatur dy orë e gjysmë. Në syrin e djathtë ishin vendosur 5 aloplatne, kurse në të majtin dy.
“Kjo nuk ka ndodhur për një ditë, që të mund të kthehet për një ditë. Ndërhyrja më e madhe është bërë në syrin e djathtë. Nevojiten 3-6 muaj që të shkrihet aloplanti që i është vendosur nervit, me qëllim që të ketë rezultate sa më të mira. Më parë fare nuk shikoja me syrin e djathtë, por tani po”, u shpreh Ivana Atanasovska.
Mjekët ishin të kënaqur nga operacioni i kryer, i cili ka zgjatur më pak se koha e paraparë. Ata i kanë thënë Ivanës se duhet të bëjë edhe një operacion, kësaj radhe në syrin e majtë, të cilit duhet t’i vendosen 5 aloplatne, kurse syrit të djathtë dy, që të mund të barazohen.
“Mjekët shpresojnë, respektivisht më thanë se shikimi duhet të kthehet 70% dhe se në shtator sërish duhet ta operoj syrin e majtë”, tha Ivana Atanasovska.
Shikimi i Ivanës ishte dëmtuar madje 95%. Ky është spitali i parë, i cili u ka dhënë shpresë prindërve të vajzës, për dallim nga klinikat e tjera të syve, prej ku kanë marrë vetëm përgjigje negative. Edhe operacioni i dytë do të kushtojë 15.000 euro, njëjtë si operacioni i kryer, për të cilin menjëherë pas transmetimit të stories së TV21 për Ivanën, u grumbulluan mjetet e nevojshme nga ana e qytetarëve humanë.
Përgatiti: Aleksandra Velinova
