Georgina Rodríguez dhe Cristiano Ronaldo duket se kanë hedhur një tjetër hap të rëndësishëm për familjen e tyre, pak ditë pas martesës. Sipas raportimeve të mediave portugeze, Georgina ka adoptuar zyrtarisht tre fëmijët më të mëdhenj të Ronaldos: Cristiano Ronaldo Jr., si dhe binjakët Eva María dhe Mateo.
Ky zhvillim vjen vetëm pak kohë pas martesës së çiftit, e cila u zhvillua më 11 gusht në një ceremoni intime në shtëpinë e tyre në Quinta da Marinha, në Cascais. Fëmijët patën një rol të rëndësishëm në këtë moment familjar, duke shënuar një kapitull të ri për çiftin pas rreth një dekade së bashku.
Georgina ka pasur prej vitesh një marrëdhënie shumë të afërt me tre fëmijët e Ronaldos dhe i ka rritur ata së bashku me futbollistin. Cristiano Ronaldo Jr. lindi në vitin 2010, ndërsa Eva María dhe Mateo erdhën në jetë në qershor 2017. Po atë vit, Georgina dhe Ronaldo u bënë prindër të vajzës së tyre, Alana Martina.

Familja u zgjerua sërish në vitin 2022 me lindjen e Bella Esmeraldës. Vëllai i saj binjak, Ángel, humbi jetën gjatë lindjes, një dhimbje që çifti e ka ndarë publikisht me fansat. Georgina i është referuar vazhdimisht fëmijëve si “gjashtë bekimet” e saj, duke treguar lidhjen e fortë që ka krijuar me ta.
Sipas mediave portugeze, procedura e adoptimit është zhvilluar në mënyrë private dhe larg vëmendjes së publikut. Nëse raportimet konfirmohen, vendimi i jep një bazë ligjore marrëdhënies së ngushtë që Georgina ka pasur prej vitesh me Cristiano Jr., Eva María dhe Mateo, duke e bërë zyrtarisht nënën e tyre ligjore krahas rolit që ajo ka luajtur prej kohësh në jetën e tyre.


