Pas incidentit me truprojën e Mickoskit, Toshkovski paralajmëroi suspendimin e tij dhe padi penale

TË FUNDIT

Suspendim nga puna për anëtarin e sigurimit të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pasi dje sulmoi një zyrtar policor. Këtë e paralajmëroi ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se MPB-ja ka zbardhur menjëherë rastin dhe se pret që Prokuroria Publike të ngrejë padi penale kundër tij. Toshkovski shtoi se nuk bëhet fjalë për pengim të një aksioni me drogë, siç pretendohej në opinionin publik.

“Është ushtruar dhunë, është sulmuar një zyrtar. Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme nga ana e Ministrisë, që do të thotë, të jemi të qartë, suspendim për personin në fjalë. Ai nuk do të shkojë më në vendin e punës deri në sjelljen e një aktgjykimi të plotfuqishëm dhe hapjen e procedurës penale nga Ministria e Punëve të Brendshme me urdhër të dhënë paraprakisht nga prokurori publik. Dua të theksoj se nuk është e vërtetë se personi në fjalë ka penguar ndonjë aksion gjatë kryerjes së tij”, tha Pançe Toshkovski, ministër teknik i Punëve të Brendshme.

Edhe zëvendës ministri shtesë Mitko Bojmacaliev mendon se rasti duhet të hetohet deri në fund sepse është e papranueshme që të sulmohet një nëpunës policie.


“Bëhet fjalë për person që është pjesëtar  i MPB-së, i cili më herët ka pasur poste të larta në Ministri dhe për mua si person dhe si bartës i kësaj pozite, incidente të tilla janë të papranueshme. Prandaj thirra dje dhe sot do të thërras kontrollin e brendshëm, të gjitha organet hetimore për ta hetuar rastin, në maksimum, profesionalisht deri në fund pa prapavijë politike”, deklaroi Mitko Bojmacaliev, zëvendës ministër shtesë i Punëve të Brendshme.

Para deklaratës së krerëve të MPB-së lidhur me këtë incident, me reagim doli Darko Kaevski nga LSDM-ja i cili pyeti se cili është roli i sigurimit të Mickoskit në aksionin kundër shpërndarësve të drogës.


“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministri Teknik i Punëve të Brendshme nga DPMNE duhet të dalin para qytetarëve dhe të përgjigjen se cili ishte roli i sigurimit të Mickoskit. Detyra e tij ishte të parandalonte veprimet kundër shpërndarësve të drogës. A janë ata shpërndarës të lidhur me Hristijan Mickoskin dhe DPMNE-në dhe në çfarë mënyre”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE iu përgjigjën Kaevskit se duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme kur bëhet fjalë për incidente të këtilla. Përndryshe, të shtunën mbrëmje, personi i cili është truprojë e Mickoskit ka sulmuar një polic i cili paraprakisht ishte në aksion për drogë, pas çka menjëherë u privua nga liria dhe është dërguar në stacion policor ndërsa kundër tij është ngritur procedurë.