Pas heqjes së masave kufizuese priten lirime të mëdha

TË FUNDIT

Shoqata e tregtarëve të Austrisë ka njoftuar se heqja e masave kufizuese të vendosura nga Kovid-19 do të pasohet nga një valë e madhe e lirimeve, veçanërisht në industrinë e veshjeve.

Shoqata tregon se në magazinat e zinxhirëve të veshjeve ka më shumë se 50 milionë artikuj të pashitur, të cilat duhet të shiten pasi të hiqen masat. Dyqanet e veshjeve dhe këpucëve thonë se për shkak të karantinës kanë humbur pothuajse gjashtë miliardë euro.

Shoqata e tregtarëve gjithashtu thekson se 45.000 vende pune janë aktualisht të rrezikuara.

“Numër i madh i tregtarëve do të duhet t’i shesin produktet e grumbulluara nën çmim. Pjesa tjetër e mallrave të dimrit do të shiten në dyqanet “outlet” ose do t’u dhurohen institucioneve humanitare”, tha kryetari i Shoqatës, Rajner Uill.

Shoqata e tregtarëve kërkon ndihmë urgjente nga Qeveria austriake dhe pret që shpenzimet për mallrat sezonale të rimbursohen nga Buxheti në vlerë prej rreth 90 përqindëve.