Sot në Saraj të Shkupit u hap kopshti me hapësirë prej 700 m2, që do të ketë kapacitet për përkujdesjen e 120 fëmijëve. Çerdhja është pjesë e projektit qeveritar “Çerdhe për çdo lagje”, dhe është realizuar me mjete të ndara nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe nga vetë komuna. Të pranishëm në hapjen e këtij institucioni parashkollor ishin zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, Ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Dime Spasov, si dhe kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Ky projekt është ndihmuar nga komuna me tre milion denarë, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për të ka ndarë 19 milion denarë. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov, theksoi se do të vazhdohet me investime për ndërtimin e kopshteve për fëmijë nëpër tërë vendin, aty ku ka nevojë për kapacitetet të tilla. Këtë vit janë hapur nënte kopshte, ndërsa në periudhën e fundit priten të hapen edhe 40 kopshte.
Përndryshe, në Maqedoni 47 komuna kanë çerdhe fëmijësh, ndërsa 37 të tjera akoma mbeten pa kushte adekuate për strehim të fëmijëve të moshës parashkollore.
Zimer Jashari
