Maqedonia që nga prilli i vitit 2020 ende nuk ka dërguar ambasador në Bullgari. Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, në intervistë për BTV bullgare, tha se për disa ditë duhet të konfirmohet propozimi për ambasadorin i cili do të dërgohet në Sofje.
“Me të vërtetë ishte lëshim që gjithë këto vite nuk kishim ambasador atje. Nuk kemi konfirmuar emrin. Shpresoj se ditëve të ardhshme do të kemi, tashmë kemi një propozim për ambasador”, tha Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.
Edhe kryeministri bullgar Petkov pas takimit me presidentin Pendarovski gjatë vizitës së të martës, në deklaratë për mediat bullgare ka thënë se pret që më së voni për 60 ditë Maqedonia të dërgojë ambasador në Sofje. Megjithatë kandidati i propozuar duhet të konfirmohet në seancë parlamentare të Komisionit për politikë të jashtme, për çka paraprakisht ministri Osmani dhe mbrëmë zv.kryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, në emisionin Klik Plus deklaroi se Kryetari i këtij komisioni Antonio Milloshovski, e bllokon gjithë procedurën për dërgimin e diplomatëve në disa metropole të rëndësishme botërore, duke mos thirrur sencë të Komisionit.
“Është fakt që tashmë ka disa pika të rëndësishme, ku përfshihen edhe Uashingtoni dhe Sofja, ku nuk kemi dërguar ambasadorë, por kishte edhe pengesa objektive, atje ku duhet të nominojmë ambasadorë, Antonio Milloshoski përmes Komisionit për punë të jashtme po bënë bllokada afatgjate”, theksoi Bojan Mariçiq, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.
Në lidhje me këtë reagoi Milloshoski i cili nuk u përgjigj se pse nuk thërret seancë që të konfirmohen ambasadorët, por akuzoi se problemi është te pushteti.
“Fragmentimi i Qeverisë vetë më vete është obstruksion për diplomacinë maqedonase, andaj për këtë më së miri dëshmon ambasada e zbrazët në Uashington ku Maqedonia për herë të parë që nga pavarësia 4 vjet nuk ka ambasadorë. Dëmi i diplomacisë sonë është edhe më i madh me aktin që në vitin 2021 u propozua ambasador për të cilin SHBA në mënyrë verbale tha se i njëjti vlerësohet si i papërshtatshëm, ndërsa ky është një faull serioz”, theksoi Antonio Milloshovski, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Pas skadimit të mandatit të ambasadorit të fundit në Uashington, Vasko Naumovski, Maqedonia tashmë 4 vjet nuk ka ambasador në SHBA. I zbrazët është edhe vendi i ambasadorëve në Bruksel dhe Moskë. Në Bullgari ambasadori i fundit ishte Marjan Gjorçev të cilit i skadoi mandati në prill të vitit 2020 dhe që atëherë Maqedonia pothuajse dy vjet nuk ka dërguar ambasador në Sofje.
