Pas dy vitesh mbyllje rikthehen kazinotë në qendër të Tiranës

TË FUNDIT

Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për përcaktimin e kritereve dhe zonave se ku do të lejohet aktiviteti i kazinove në kryeqytet, pas ligjit qe miratoi për mbylljen e tyre në dhjetor të vitit 2018 dhe lejimit vetëm në hotele me 5 yje.

Një licencë për “Kazino” do të kushtojë 1 miliardë lekë ku përfshihet e drejta vetëm për një sallë dhe gara për dhënien e ushtrimit të licencës do të shpallet nga Autoriteti i mbikëqyrjes së lojërave të fatit.

Referuar vendimit, subjektet duhet të kenë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh, ndërsa do të kenë detyrim që të tregojnë burimin e të ardhurave për objektin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Subjekte duhet të instalojnë sistemin e tyre të monitorimit online, i cili do të lidhet më pas me atë të Autoritetit të mbikëqyrjes financiare, ndërsa duhet të regjistrojnë të gjithë lojtarët ku të dhënat e tyre do të ruhen për një periudhë trevjeçare.

Vendimi është marrë me propozim të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë.

Duke komentuar vendimin për të rihapur kazinotë, shumica qeverisëse e vlerësoi atë si të drejtë sepse ndihmon ekonominë dhe turizmin, ndërsa për opozitën është një vendim që Rama e merr për një qëllim elektoral, përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 25 prill të vitit të ardhshëm.