Photo: 9 NEWS
Australia i ka hapur sot kufijtë e saj, pas pothuajse 600 ditëve, pasi u mbyllën për shkak të pandemisë së Kovid-19.
Hapja e kufijve shkaktoi skena emocionuese në aeroportin e Sidneit, qyteti më i populluar në Australi.
Më 20 mars të vitit 2020, kontinenti i madh vendosi një nga mbylljet më të vështira të kufijve në botë për t’u mbrojtur nga pandemia. Dhjetëra mijëra australianë që jetojnë jashtë vendit nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi për pothuajse 19 muaj.
Fluturimet ishin të rralla, ndërsa udhëtarët që lejoheshin të hynin në Australi duhej të kalonin nëpër një karantinë të shtrenjtë 14-ditore në hotel.
Dy qytetet më të mëdha të vendit, Sidnei dhe Melburni, kanë vendosur të pezullojnë masat e këtilla dhe australianët plotësisht të vaksinuar tani mund të udhëtojnë pa karantinë.
“Kjo është një ditë e madhe për Australinë”, theksoi kryeministri Skot Morison në Fejsbuk.
