Pas 40 vitesh “Tigrat” do t’i hapin dyert për shqiptarët! Grubi: Ka ardhur koha për pajtim, “të falim por të mos harrojmë”

TË FUNDIT

Për herë të parë pas 40 vitesh që nga themelimi, në njësitin “Tigrat” do të punësohen edhe shqiptarë. Kjo i është premtuar zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, i cili thotë se me këtë po thyhet rezistenca në një njësit ku deri dje dyert kanë qenë të mbyllura për shqiptarët.

 “Unë mora premtimin në prezencë edhe të Kryeministrit, edhe të Ministrit të Brendshëm, edhe të komandantit të atij njësiti që do përfshijnë edhe shqiptarët, në veçanti me konkursin e fundit në të cilin janë paraparë 30 shqiptarë”, tha Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.

Po më pas Grubi ri shpjegoi se në këto 30 vende do të punësohen shqiptarë varësisht prej asaj se sa do të kalojnë trajnimet dhe nëse do të pranojnë që të futen tek “Tigrat”.

TV21: Do me thënë deri tash është varur nga komandanti pse s’ka shqiptarë?

Artan Grubi: “Jo, ju thash edhe më herët…”.

TV21:  Po si jo, dy herë po mi ndërroni llafet…

Artan Grubi: “Po të thash edhe më herët që kanë konkurruar edhe shqiptar dhe janë tërhequr gjatë procesit të trajnimit”.

TV21: Po e thatë dy herë, ma tha komandanti…

Artan Grubi: “…ma tha komandanti që jam i hapur dhe duhet të ketë shqiptarë në këtë njësit”.

TV21:  E tash, “duhet të ketë” dhe “do të ketë” prapë po i ndërroni llafet.

Artan Grubi: “Unë ju thash që 30 nga ky konkursi i fundit për 600 policë, që janë në trajnim e sipër, janë duke u stërvitur për t’u bërë pjesë e këtij njësiti. Sa do të përfundojnë dhe sa do të pranojnë, është çështje tjetër”.

Tha po ashtu se deri më tani ka pasur shqiptarë që kanë marrë pjesë në trajnime, por më pas janë tërhequr, duke refuzuar të bëhen pjesë e njësitit tigrat. Duke folur për praninë e tij tek ngjarja për përvjetorin e “Tigrave”, zëvendëskryeministri i parë tha se pjesëmarrja ishte simbolike dhe se ka pasur ftesë, por nuk tregoi nëse një ditë një ftesë të tillë do t’ia bënte Kryeministrit Zaev për të nderuar të rënët shqiptarë. 20 vite pas konfliktit të armatosur dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Grubi thotë se ka ardhur koha për pajtim.

Artan Grubi: “Ne e bëmë hapin tonë, tani e kanë radhën ata që ta bëjnë hapin e tyre në përmendoret e dëshmorëve të UÇK-së”.

TV21: Po z.Zaev a do e merrni apo jo? A do ti bëni ftesë që të vijnë t’i bëjnë homazhe viktimave të shqiptarëve?

Artan Grubi: “Po pse ta marr… As ai mua nuk më merr, as unë atë nuk e marr.

TV21: Mirë po mund t’i dërgoni ftesë…”

Artan Grubi: “Po i prijmë një procesi të pajtimi i cili është i domosdoshëm dhe të cilin e duan shqiptarët sepse nuk jetohet në armiqësi të përjetshme dhe do të duhet të gjejmë guximin njëri me tjetrin, që të falim, por mos të harrojmë asnjëherë”.

Zëvendëskryeministri Grubi po ashtu sqaroi se pllakati që ka marrë nga “Tigrat” nuk është mirënjohje, por logoja e re e njësitit me emrin e ri kushtetues. Para përmendores nuk u përkul për shkak se siç tha “në kulturën tonë i përkulemi vetëm Zotit, kurse të tjerët mund t’i nderojmë me prezencë”.