Në spitalin e Kumanovës sot u pajisën me vendime rreth 100 të punësuar: mjekë dhe personel tjetër mjekësor. Ata sot i`u gëzuan vendimeve të punës, pas disa ditë të protestave që u organizuan për rregullimin e statusit të tyre.
Dhënia e vendimeve sipas drejtorisë së Spitalit është paraparë me miratimin e Ligjit për transformim të marrëdhënies së punës nga ana e Qeverisë. Drejtori i Spitalit, Arif Latifi theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për spitalin e Kumanovës.
“Ne deri tani në historinë e këtij Spitali. Nuk kemi pasur një punësim kaq të madh me një akt të madh”, tha Arif Latifi.
Visare Shaqiri, punonjëse e spitalit e Kumanovës thotë se ka punuar rreth 8 vite në spital për një rrogë prej 3.900 denarëve. Por ajo sot është e lumtur se rroga e saj do të rritet pasi që është ndër të punësuarat që ka zgjidhur statusin e saj të punës.
“Çdo ditë kemi shpresuar se do vijë me kohë se statusi e do të rregullohet , kanë kaluar konkurse dhe në ase një konkurs të mos punësohem por ja sot fati”, thotë Visare Shaqiri
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Nasuf Ipçja i pranishëm në këtë ngjarje theksoi se po vazhdon rritja e numrit të shqiptarëve në institucionet e shëndetësisë.
“Gjithashtu vlen të theksohet se numri i përgjithshëm i specializanteve që gjenden tash në specializim nga një numër 26 persona, 16 nga numri i tyre janë shqiptar”, kështu u shpreh Nasuf Ipçja.
Krahas drejtorit të Spitalit dhe sekretarit shtetëror të shëndetësisë, i pranishëm ishte edhe ministri i Ekonomisë Bekim Neziri, dhe ministri i vetëqeverisjes Lokale Lirim Shabani. Me ligjin e fundit të miratuar nga Parlamenti, mbi 3000 mijë të punësuar pa status të rregulluar pune në institucionet shtetërore dhe publike do të pajisen me vendime pune të përhershme.
